Gratë duhet të kenë një rol qendror, në bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut

Nga Christine Ahn “Truthout”

Kur takimi dy javë më parë në Hanoi, mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përfundoi papritur pa asnjë marrëveshje, u trishtova. Si një koreano-amerikane, kam punuar për gati 2 dekada për t’i dhënë fund Luftës së Koresë, e cila i ka detyruar koreanët të jetojnë nën kërcënimin e vazhdueshëm të luftës, dhe ka shkatërruar 3 breza të familjeve koreane.

Unë isha në Hanoi me një delegacion të grave ndërtuese të paqes, për të festuar atë që parashikuan shumë ekspertë të Koresë:se të dy udhëheqësit, do të shpallnin fundin e Luftës Koreane. Mjerisht, bisedimet u ndërprenë, dhe tani administrata Trump i është rikthyer retorikës së saj të “presionit maksimal”, duke theksuar se nuk do të ketë përparim në procesin e paqes dhe heqjen e sanksioneve, pa denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Ndërsa është e rëndësishme të kuptohet pse dështuan bisedimet, është edhe më e rëndësishme të përvijohen hapat konstruktivë që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut duhet të ndërmarrin, për t’i dhënë zyrtarisht fund Luftës Koreane, dhe negociuar një marrëveshje paqeje.

Për të siguruar mosshpërdorimin e kësaj mundësie, një delegacion i parlamentareve gra nga Koreja e Jugut dhe aktivisteve të shoqërisë civile, viziton këtë javë Uashingtonin, për t’u takuar me anëtarët e Kongresit Amerikan, me synim shpejtimin e përfundimit të Luftës Koreane.

Suksesi i kësaj përpjekje, varet nga një faktor i anashkaluar:përfshirja e grave në procesin e paqes midis dy Koreve. Anëtaret e Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut, mund të kontribuojë në procesin e paqes.

Përpara samitit në Hanoi, mbi 250 gra nga 43 vende, përfshirë Gloria Shtajnhem, Liza Uoker dhe Xhejn Fonda, i dërguan një letër  të përbashkët Trump dhe Kim, duke i bërë thirrje për t’i dhënë fund Luftës së Koresë, dhe për të nisur një proces gjithëpërfshirës paqësor drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje paqeje, që përfshin shoqërinë civile, veçanërisht organizatat e grave.

Delegacioni im i grave ndërtuese të paqes, i dërgoi gjithshtu një letër Stefën Biegun, përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Korenë e Veriut dhe Ri Yong Pil, ambasadorit të Koresë së Veriut në OKB, duke kërkuar një takim në kuadër të samitit zyrtar, për të diskutuar se si gratë mund të mbështesin paqen në Gadishullin Korean.

Dhe këtë javë, 4 organizata të mëdha të paqes – Women Cross DMZ, Nisma e Grave fituese të Çmimit Nobel, Lidhja Ndërkombëtare e Grave për Paqe dhe Liri (WILPF) dhe Lëvizja për Paqe e Grave Koreane- po nisin  një fushatë globale:Korea Peace Now!

Vendimtar për shkuarjen drejt një marrëveshjeje për paqe, do të jetë përfshirja kuptimplotë e grave, në të gjitha nivelet e procesit të paqes. Nga Liberia në Irlandën e Veriut, gratë kanë qenë të rëndësishme në arritjen e marrëveshjeve të paqes.

Për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të paqes, grupet e grave duhet të jenë në tryezën e negociatave. Hulumtimet tregojnë se pjesëmarrja e grupeve të shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat e grave, e bën një marrëveshje paqe, të ketë 64 për qind më pak gjasa të dështojë.

Dhe kur gratë marrin pjesë në proceset e paqes, marrëveshjet që nënshkruhen, kanë 35 përqind më shumë gjasa të zgjasin të paktën 15 vjet. Kjo është aq e vertetë, sa që nga viti 2000, Rezoluta nr.1325 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bëri thirrje për pjesëmarrje të barabartë të grave, dhe përfshirje kuptimplotë të tyre në proceset e paqes.

Që nga dhjetori i vitit 2018, 79 vende – përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut – kanë miratuar plane veprimi kombëtare për zbatimin e Rezolutës 1325 të KS të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Tani është qartazi koha që gratë koreane, amerikane dhe të vendeve të tjera të kontribojnë në një mënyrë kuptimplote në procesin zyrtar të paqes, midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Gratë mbajnë poste të larta në Ministrisë e Jashtme në Korenë e Jugut, Korenë e Veriut dhe Kinë, por edhe kombet si Kanadaja, Suedia dhe Norvegjia, të cilat morën pjesë në Luftën Koreane.

Tani kemi numrin më të madh të grave të zgjedhura ndonjëherë në Kongresin Ameirkan, duke përfshirë edhe disa gra me ngjyrë, që kanë një vizion progresiv për politikën e jashtme të SHBA-së. Sikurse e theksuam unë dhe Gloria Shtajnham në një shkrim për “The Washington Post”, “gratë e zgjedhura në Kongres, sollën me vete angazhimin për çështje të tilla të njohura si shërbimi shëndetësor për të gjithë, shkollimi falas në universitet, dhe përballjen me ndryshimet klimatike”.

Por këto synime do të mbeten ëndrra, për sa kohë që financimi pët to është i kufizuar, dhe kur SHBA-ja shpezon mbi 700 miliardë dollarë në vit për ushtrinë. Ndaj dhënia fund e konfliktit të Koresë, është vendimtar jo vetëm për koreanët, por edhe për amerikanët.

Shënim:Christine Ahn, është koordinatore ndërkombëtare e “Women Cross DMZ” , një lëvizje globale e grave, që mobilizohen për paqe në gadishullin Korean.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment