Forum/A po e vendos BE-ja stabilitetin, para të drejtave të njeriut?

European Union flags in front of the European Parliament in Brussels, Belgium

 

 

Disa ekspertë i përgjigjen në një pyetje të re të kryeredaktores së think-tankut “Carnegie Europe”, Xhudi Dempsi, mbi sfidat e politikës së jashtme dhe të sigurisë që formojnë rolin e Evropës në botë.

 

Jusuf Sherif, anëtar i rrjetit civil të kërkimeve në “Carnegie Europe”:

 

Stabiliteti, ka qenë gjithmonë një prioritet evropian. Despotët arabë ishin mysafirë të shpeshtë të liderëve evropianë deri në vitin 2011, dhe vlerësoheshin si burra shteti të fortë dhe kompetentë. Vendet e BE-së ofruan strehë për shumë aktivistë të të drejtave të njeriut gjatë viteve, dhe retorika pro-demokraci ka qenë përherë aty, por stabiliteti ishte shqetësimi i parë.

 

Bashkimi Evropian manovroi mbi valën e Pranverës Arabe, dhe shfaqi mbështetje për zgjimin demokratik. Braktisja e Gedafit të sapo-zbutur apo një Ben Aliu dhe Mubaraku të besueshëm, ishin në fakt rreziqet e marra në sy nga Brukseli. Megjithatë, përpjekjet për të shoqëruar në vazhdimësi lëvizjen qenë të kufizuara.

 

Përveç kësaj, BE-ja u bëri thirrje regjimeve autokratike të Gjirit të financonin vendet e Pranverës Arabe nëpërmjet “Partneritetit Deauville”. Kjo ishte një nismë e vdekur, e cila në fakt e shtoi ndërhyrjen e këtyre vendeve mbi demokracitë e reja të dobëta dhe të varfra si Tunizia dhe Egjipti.

 

Për më tepër, fragmentimi i politikëbërjes së jashtme të BE-së, ka kontribuar në dobësimin e pozitës së Brukselit. Trazirat rajonale që pasuan dhe pasojat e tyre, pra terrorizmi, emigracioni masiv dhe kërcënimet ndaj interesave ekonomike evropiane, e kanë frikësuar Brukselin.

 

Rritja pasuese e politikës ksenofobike, raciste dhe populiste në Evropë, ka shtuar presionin mbi politikanët e Bashkimit Evropian. Për ta, tanimë thelbësore është stabiliteti dhe jo demokracia. Megjithatë, kjo është një zgjidhje afatshkurtër, dhe jo një strategji.

 

Frensis Zhill, bashkëpunëtor i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare në Barcelonë:

Nuk mund të ketë një përkufizim të pranuar universalisht për të drejtat e njeriut, por të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojë për rregulla të qeverisjes, që u ofrojnë atyre dinjitet dhe mjetet për të jetuar dhe punuar brenda kuadrit ligjor që respektohet nga të gjithë, sidomos nëpunësit e shtetit, gjykatat.

 

Nuk mund të ketë stabilitet apo legjitimim për një shtet dhe sundimtarët e tij, nëse nuk respektohen të drejtat e njeriut. Për shkak se shtetet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, dështojnë të respektojnë të drejtat e njeriut, shumica e tyre nuk gëzojnë as stabilitet dhe as legjitimitet.

 

Njerëzit në këtë rajon, i shohin udhëheqësit evropianë si hipokritë, që lavdërojnë sunduesit autoritarë për respektimin e të drejtave të njeriut – që shpërfillin realitetin që i rrethon çdo ditë njerëzit e thjeshtë – vetëm për të mbrojtur më mirë interesat e tyre ekonomike dhe gjeopolitike.

 

Shpesh, Evropa gabon kur i lexon protestat në këtë rajon, si dhe në Iran si një thirrje për ndryshimin e regjimit, kur në të vërtetë ato janë thjesht thirrje të dëshpëruara për dinjitet dhe vende pune. Për sa kohë që mbizotëron hoghra- një fjalë maghrebiane që përshkruan përbuzjen arbitrare që shteti shfaq ndaj qytetarëve të tij, nuk mund të ketë legjitimitet, prandaj nuk ka as stabilitet.

 

Tomas Hendrik Ilves, ish-presidenti i Estonisë:

 

Po, BE-ja është një mbështetëse jo shumë e ndershme e të drejtave të njeriut:e vë theksin tek ato kur ka pak rreziqe, dhe i lë në harresë kur në lojë hyjnë interesat – shpesh kur është në interesin e shteteve anëtare të veçanta të mos ngrejnë çështje, kauza; ose kur shefat e politikës së jashtme të BE, si Federika Mogerini, kanë interesat e tyre ideologjike.

 

Në mandatin e saj 3-vjeçar, përfaqësuesja e lartë e BE-së ka vizituar 3 herë Kubën dhe një herë Ukrainën në vitin 2015. Kur është fjala për Rusinë dhe Iranin, ajo ka qendruar çuditërisht e heshtur për çështjet e të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

 

Tradicionalisht, shtetet anëtare ia kanë lënë BE-së çështjen e të drejtave të njeriut. Po aq e dobët sa ka qenë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe demokracinë vitet e fundit, BE ka qenë shumë më e aftë se sa shtetet anëtare, në marrëdhëniet e jashtme, të cilat dominoheshin nga interesat tregtare.

 

Salam Kauakibi, Drejtor i Qendrës Arabe për Kërkime dhe Studime të Politikave me qendër në Paris:

 

Përbuzja ndaj parimeve dhe vlerave, që është bërë diçka e dukshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk i mërzit më vëzhguesit. Shtojini kësaj trajtimin shumë të ndryshëm që shtetet marrin nga njëri-tjetri.

 

Presidenti egjiptian El-Sisi – drejtuesi i një grushti shteti – është një aleat i vlefshëm, prandaj presidenti francez Emanuel Makron refuzon të flasë me

të për shkeljet masive të të drejtave të njeriut në Egjipt.

 

Në contrast më ketë – dhe me një mungesë totale të koherencës – i njëjti Makron ngre me të drejtë çështjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Turqi me Presidentin Erdogan. Realpolitika, është një koncept që po shtrembërohet nga fuqitë perëndimore, për të maskuar një lloj bashkëpunimi me diktaturat jugore, siç po ndodh me Egjiptin dhe Algjerinë ose së shpejti, me Sirinë. Preteksti është gjithmonë i njëjtë: stabiliteti dhe siguria.

 

Fshehja pas këtij preteksti, është një rikthim në dekadat e mëparshme, dhe tregon se mësimet e historisë nuk kanë pasur ndonjë ndikim. Është një vizion i gabuar, që do të përfundojë në një dështim absolut.

 

Mbështetja e diktatorëve në pragun e Evropës, do të ketë pasoja të rënda. Diktaturat, të cilat shpesh shkojnë krah për krah me korrupsionin endemik, shkaktojnë varfëri dhe zhgënjim. Kjo do t’i shtyjë të rinjtë të emigrojnë ose të radikalizohen.

 

Xhani Riota, anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR):

 

Është një sezon i zymtë, për të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Rusia dhe Kina, udhëheqin shumë vende drejt një mospërfillje totale ndaj lirisë, drejtësisë dhe tolerancës. SHBA-ja, duket se nuk është e kujdesshme për një axhendë të ndershme të promovimit të respektit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Nga ana tjetër OKB-ja, është si zakonisht e bllokuar nga vetot, dhe diktaturat që kryesojnë të ashtuquajturat forume të të drejtave të njeriut. Evropa duhet të përshtatet me këtë “dimër” shumë të ftohtë. Kush do të udhëheqë kryqëzatën e BE-së që mbron të shtypurit? Burokratët në Bruksel? Junker?

 

Shtetet anëtare të Lindjes, që përballen me një valë populiste të mosrespektimit të sundimit të ligjit për vendet e tyre? Austria, që me një shumicë popullore, refuzon çfarëdolloj solidariteti me emigrantët? Merkeli, nëse ia del përfundimisht të formojë një kabinet qeveritar? Makron, mund të lëshojë disa deklarata të plotëkuptimta, por emri i lojës është realpolitika. Në vitin 2018, Nikolo Makaveli do të jetë më i plotfuqishëm sesa Altiero Spineli.

 

Ëzge Zihnioglu, profesor i asociuar në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Kiltur në Stamboll, Turqi:

 

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, janë kritikuar gjithnjë e më shumë për mos mbajtjen e të drejtave të njeriut në rendin e ditës, si dhe për mos-reagimin ndaj krizave të forta. Këto kritika, kanë vlerë në kontekstin e rritjes së sekuritizimit në marrëdhëniet e tyre, veçanërisht me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

 

Megjithatë, kritika të tilla duhet t’iu kushtojnë vëmendje dy momenteve. Së pari, protestat apo krizat e mëdha tentojnë të sjellin një polarizim politik dhe social intensiv. Përveç kësaj, ndërsa ne qemë dëshmitarë të protestave të fundit në Iran (por gjithashtu të përhapura diku tjetër), teoritë e konspiracionit pretendojnë praninë e një dore të huaj tek protesta, që janë të përqafuara jo vetëm nga qeveria, por mbështeten gjerësisht edhe nga publiku.

 

Reagimet me të cilat përballet qeveria, kanë rrezikun e shtyrjes së BE-së në njërën anë (duke i bërë kërkesat e saj të padëgjueshme për pjesën tjetër të vendit), duke i bërë protestuesit më të prekshëm, dhe madje i rrezikuar ata për t’u akuzuar për spiunazh.

 

Së dyti, deklaratat e liderëve politikë, dhe përfshirja e të drejtave të njeriut

në politikën e jashtme janë sigurisht të rëndësishme. Por në këtë pikë, përgjegjësia bie aq shumë mbi udhëheqësit e biznesit dhe aktorët ekonomikë,  po aq sa edhe mbi udhëheqësit politikë. Të drejtat e njeriut, mund të arrihen vetëm me përpjekje afatgjata dhe të gjithanshme.

Submit a comment