Evropës, i mungojnë gratë lidere

Nga Corinna Horst “Politico.eu”

Bashkimi Evropian, ka një problem me gratë. Uninoni nuk ka pasur kurrë një presidente grua të Komisionit Evropian apo Këshillit Evropian. Dhe vetëm 2 presidente të Parlamentit Europian kanë qenë gra – Simon Veil, në vitet 1979-1982, dhe Nikol Fonten në vitet 1999-2001.

Aktualisht, vetëm pak më shumë se një e treta e anëtarëve të këtij institucioni janë gra. Zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian, janë një mundësi për ta ndryshuar këtë. Ndërsa partitë politike bëhen gati për zgjedhje, rezultati i të cilëve do të formësojë politikëbërjen evropiane për 5 vitet e ardhshme, ato duhet të shohin anembanë Atlantikut, për t’u frymëzuar se si të nxisin votuesit, si dhe të shtojnë numrin e grave në pozicione drejtuese.

Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA në nëntorin e vitit të shkuar, patën pjesëmarrjen më të lartë në një shekull, me më shumë se gjysmën e votuesve me të drejtë vote. Kongresi i ri amerikan, ka aktualisht një numër rekord grash, dhe nga ato që janë zgjedhur për herë të parë.

Është gjithashtu një nga përbërjet më të larmishme kur është fjala për racën, përkatësinë etnike dhe orientimin seksual. Faktorët që çuan në këtë pjesëmarrje masive ishin të ndryshme. Por kryesisht, u cilësua si një reagim i ashpër ndaj politikave përçarëse të presidentit Donald Trump.

Klima politike në të gjithë bllokun evropian, është gjithnjë e më shumë e polarizuar. Euroskeptikët dhe populistët, parashikohen të fitojnë shumë vota në zgjedhjet e majit, në një kohë që ka ndarje gjithnjë e më të thella ndërmjet shteteve anëtare dhe Brukselit, kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, dhe të ardhmen e projektit evropian.

Pra kontinenti, është i prirur të ketë trazira. Dhe sigurisht, një Parlament Evropian më i larmishëm, do të prishte statuskuonë. PE është drejtuar prej kohësh nga të njëjtat grupe të fuqishme. Shumë prej tyre kanë frikë nga futja e me shumë ekstremistëve në të, pasi ata janë të vendosur të minojnë politikat pro-evropiane.

Natyrisht, gratë nuk janë domosdoshmërisht udhëheqëse më të mira. Mjafton të kemi parasysh trashëgiminë të debatueshme të Margaret Theçerit në Mbretërinë e Bashkuar, apo retorikën kundër emigraantëve të Marin Lë Pen në Francë, dhe udhëheqëses gjermane të ekstremit të djathtë, Alis Videl.

Megjithatë, studimet tregojnë se më shumë gra në partitë politike, ndikojnë në një proces më përfshirës dhe të balancuar të politikave. Udhëheqëset gra, priren të jenë më ndërtuese të konsensusit, pasi dëgjojnë, përqendrohen në gjetjen e rezultateve, dhe punojnë me të gjitha palët spolitike.

Ashtu si në sektorin privat, një Parlament Evropian, që pasqyron më saktë zgjedhësit e tij, do të japë rezultate më të mira. Nëse duam që njerëzit të besojnë në potencialin demokratik të projektit evropian, dhe të prishin tendencën e rënies së pjesëmarrjes në mesin e votuesve europianë, fletëvotimet tona zgjedhore duhet të pasqyrojnë më saktë popullsinë evropiane – dhe kjo përfshin ndihmën për zgjedhjen e më shumë grave në atë parlament.

Kjo është në interesin e partive politike. Duke ofruar lista që janë më të larmishme, këto parti mund të lidhen me një gamë më të gjerë votuesish, dhe të kuptojnë shumë më mirë nevojat e zgjedhësve të tyre. Ata gjithashtu do të kenë një qasje më të madhe, kur bëhet fjalë për zhvillimin e politikave që adresojnë nevojat e elektoratit. Politikat e suksesshme, janë fryt i një debati të shëndoshë dhe pikëpamjeve të shumëfishta.

Ndryshimi i statuskuosë, do të varet nga gratë evropiane që janë të gatshme të rriten në karrierë. Në SHBA, gratë u motivuan nga humbja e Hilari Klintonit, dhe ndikimet e një presidencie, që ato panë se po i minon liritë thelbësore.

Ato e kuptuan se duhej të vepronin, për të garantuar që zërat e tyre do të dëgjohen, mbi çështjet që ndikojnë më thellë jetën e tyre. Jo vetëm për kujdesin shëndetësor, por edhe për emigracionin, sigurinë dhe ekonominë.

Edhe në Evropë, gratë duhet të jenë më të zëshme, për atë që është e rëndësishme për ta. Dhe ka shumë probleme për t’u marrë:pasiguria rreth Brexit; rritja e populizmit anti-evropian, ekstremi i djathtë; çështja e pazgjidhur se si të trajtohet kriza e emigracioni, apo reformimi i eurozonës.

Shqetësimet për këto çështje, i kanë detyruar gratë të konkurrojnë në zgjedhjet evropiane – Tina de Meus nga Liberal Demokratët në Gjermani, Airis Meier nga Partia e Reformave në Estonisë, dhe Valeri Glatinji nga Lëvizja Reformiste në Belgjikë, janë të gjitha shembuj të mirë të grave deputete që duan të bëjnë diferencën.

Për të ndryshuar tonin e debatit, dhe mënyrën se si t’i trajtojmë çështjet kryesore në Evropë, na duhen më shumë gra në institucionet vendimarrëse. Gjërat janë të thjeshta:Parti, vendosni sa më shumë gra në fletëvotime; gra, bëni që zëri juaj të dëgjohet.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment