Erdogan:Terroristët që vrasin myslimanët, kanë armë perëndimore

“hurriyetdailynews.com”

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, akuzoi sot aleatët perëndimorë të Turqisë, për armatosjen e terroristëve dhe vrasësve, që ekzekutojnë myslimanët në mbarë botën.

“Ata që u japin armë terroristëve me duart e përgjakura, krijojnë pengesa të paimagjinueshme kur Turqia kërkon të blejë të njëjtat armë. Nga ISIS dhe PKK, tek Al-Kaeda dhe Al-Shabaab, të gjitha organizatat terroriste që derdhin gjakun e myslimanëve, kanë armë perëndimore në duart e tyre”- u shpreh Erdogan në Stamboll, gjatë ceremonisë së inaugurimit të një anijeje të re ushtarake.

“Vrasësit e PYD/YPG, që kryejnë spastrime etnike në Siri veriore, kanë raketa, bomba dhe municione të aleatëve tanë. Përballë një situate të tillë, Turqia nuk mund të presë me duart e lidhura, apo t’ja delegojë sigurinë e saj kombëtare vendeve të tjera”- shtoi ai.

Erdogan kishte sinjalizuar më herët gjatë këtij muaji, se një operacion ndërkufitar kundër YPG, do të ndodhë së shpejti. Që nga viti 2016, Ankaraja ka ndërmarrë dy operacione të ngjashme ushtarake në Sirinë veriore, me ndihmën e pjesëtarëve të Ushtrisë së Lirë Siriane, SDF.

Edhe pse duket se për momentin, është lënë mënjanë ideja e një operacioni ushtarak, pas vendimit të papritur të presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria, Turqia e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë kurrë praninë e forcave të YPG në kufijtë e saj, madje edhe nëse ka një marrëveshje me regjimin e Asadit, për të ruajtur kontrollin në lindje të lumit Eufrat.

Po sot presidenti Erdogan, deklaroi se aftësitë ushtarake të Turqisë, do të “ndihmonin në praninë e saj në tryezë”, dhe lëvizjet e saj për t’i dhënë fund luftës në Siri, si dhe në luftën kundër terrorizmit.

“Gjatë tre viteve të fundit, ne kemi arritur shumë suksese të mëdha kundër grupeve terroriste, veçanërisht ISIS-it dhe PKK, të cilët synojnë jetën e qytetarëve tanë, dhe përpiqen të ndajnë vendin tonë”- shtoi ai.

Submit a comment