Erdogan:Paqja dhe stabiliteti në Ballkan, është i rëndësishëm për Turqinë

“Daily Sabah”

Paqja, stabiliteti dhe mirëqenia e Ballkanit, janë “jashtëzakonisht të rëndësishme” për Turqinë. Kështu është shprehur presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, përpara vizitës së tij në Bosnje Hercegovinë. “Paqja, stabiliteti, qetësia dhe mirëqenia e Ballkanit janë shumë të rëndësishme për ne. Vendi ynë ka luksin të mbikëqyrë zhvillimet në këtë rajon gjeografik”- u shpreh Erdogan për gazetarët në një konferencë për shtyp në Aeroportin Ataturk të Stambollit.

Presidenti i Turqisë, do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), që do t’i zhvillojë punimet e tij 2-ditore në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë.

“Turqia, në kuadrin e rëndësisë që i jep paqes, stabilitetit dhe mirëqenies në Ballkan, ka kontribuar në mënyrë efektive në SEECP, e vetmja platformë e bashkëpunimit rajonal që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit, që nga themelimi i saj”- theksoi më tej kreu i shtetit turk. Gjatë vizitës së tij, Erdogan do të zhvillojë takime dypalëshe me anëtarët e Këshillit Presidencial të Bosnje Hercegovinës, si dhe me liderët e tjerë të rajonit pjesëmarrës në këtë samit.

Erdogan tha se Turqia kontribuon në stabilitetin rajonal, jo vetëm nëpërmjet raporteve dypalëshe, por edhe nëpërmjet platformave të larmishme të bashkëpunimit. “Në kuadër të samitit të Sarajevës, ne shpresojmë t’i japim një nxitje të madhe aktiviteteve të bashkëpunimit në Ballkan, veçanërisht në fushat e ekonomisë, tregtisë, transportit dhe investimeve në infrastrukturë”- shtoi ai.

Gjatë vizitës së tij në Bosnje, Erdogan do të takohet gjithashtu edhe me ushtarët turq që ndodhen në Butmir, si pjesë e përfaqësuesve ushtarakë turq në Forcën e Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Herzegovinë, në kuadër të Operacionit ALTHEA.

Ndërkohë ditën e martën, Erdogan do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 24 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi më 11 korrik 1995, ku më shumë se 8.000 myslimanë boshnjakë u masakruan nga forcat serbe boshnjake, nën drejtimin e presidentit serb Sllobodan Millosheviç dhe gjeneralit serbo-bosnjak, Ratko Mlladiç.

Ajo ngjarje, njihet si masakra më e madhe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945. Lidhur me zhvillimet e fundit në Mesdheun Lindor, Erdogan tha se kundërshtimet ndaj përpjekjeve të Turqisë për eksplorimin e gazit, nuk do ta aspak ndalojnë vendin në synimet e tij.

“Anijet tona të shpimit, po kryejnë aktualisht misione eksploruese në një mënyrë të koordinuar brenda territorit tonë. Ndaj këtij operacioni mund të ketë kundërshtime, por asnjëra prej tyre nuk do të pengojë përpjekjet tona, siç e kemi përmendur edhe më parë”- tha presidenti Erdogan.

Sipas tij Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC), janë të vendosura të vazhdojnë operacionin e eksplorimit të gazit pranë ishullit të ndarë. Anija turke që merret me këto shpime “Fatih”, ndodhet aktualisht rreth 64 kilometra në perëndim të Pafos, në një zonë brenda shelfit kontinental të Turqisë, një zonë që pretendohet gjithashtu nga Qiproja greke, si pjesë e Zonës së saj Ekskluzive Eekonomike (EEZ).

Megjithatë, ajo nuk është në mesin e zonave të licencuara në mënyrë të njëanshme nga Nikozia për hidrokarburet. Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht shpimet e njëanshme të Administratës Greke të Qipros në Mesdheun Lindor, duke deklaruar se Zona Ekonomike Ekskluzive, e shpallur në mënyrë të njëanshme nga Nikozia, shkel një pjesë të shelfit kontinental të Turqisë, veçanërisht në blloqet 1, 4, 5, 6 dhe 7.

Duke deklaruar se eksplorimi i njëanshëm, e privon pakicën qipriote turke nga përfitimi nga burimet natyrore të ishullit të ndarë, Turqia ka shtuar ndjeshëm aktivitetet e saj në Mesdheun Lindor.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment