Erdogan do të takohet me Putinin në Rusi për të diskutuar situatën në Idlib të Sirisë

Rexhep Tajip Erdoan do të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin në Soçi të hënën për të diskutuar situatën në Idlib të Sirisë, mes rritjes së sulmeve të regjimit rus dhe të Asadit në enklavën e fundit të opozitës.

Duke rikujtuar përpjekjet e Turqisë për të gjetur një zgjidhje politike për krizën në vazhdim të Sirisë, Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha të premten se Turqia po punon për të arritur një armëpushim në Idlib dhe dy presidentët do të diskutojnë këtë çështje të hënën.

Një zyrtar i lartë turk më vonë i tha AFP se të dy udhëheqësit do të mbajnë një takim në qytetin turistik rus të Soçit. Zëdhënësi i Putinit Dmitri Peskov tha të premten se janë duke u përgatitur për takimin e Putinit me Erdogan në Soçi të hënën.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona me Iranin dhe Rusinë … Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona edhe në platformat ndërkombëtare, por kemi marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga shumë vende, si dhe nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për shtyp në Islamabad me ministrin e jashtëm pakistanez Shah Mehmood Qureshi.

“Turqia është e hapur për bashkëpunim me të gjithë për përpjekjet për të luftuar grupet terroriste në Siri”, shtoi ai.

Erdogan u takua me udhëheqësit e Iranit dhe Rusisë javën e kaluar në Teheran për të diskutuar mbi Sirinë, por një zotim konkret i armëpushimit nuk erdhi nga takimi.

Submit a comment