Enigma:Do ketë luftë, apo bisedime mes SHBA-së dhe Iranit?

Nga David Ignatius “The Washington Post”

Në çdo përballje të tensionuar ushtarake, diplomatët fillojnë të kërkojnë një “shteg”, që mund të ulë tensionet. Por në përballjen aktuale midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, është e vështirë të gjesh ndonjë rrugëdalje të tillë. Përplasja SHBA-Iran, është një nga ato situata të çuditshme, ku të dy lojtarët duken të etur të rrisin tensionin, ndonëse nga ana tjetër nuk duan një përplasje në shkallë të gjerë.

Ata duken të kënaqur të qëndrojnë një gjysmë-konflikt, ku kombet e përdorin forcën në mënyra të denëeshme në fusha të ndryshme, duke shpresuar ama që të mos fillojë një luftë e madhe. Problemi është se askush në Uashington, Evropë apo Lindjen e Mesme, nuk ka një përgjigje bindëse për pyetjen e qartë:Çfarë ndodh më pas?

Secila pale, thotë se i frikësohet një sulmi nga pala tjetër, por përfaqësuesit e vijës së ashpër në të dyja kryeqytetet, duken të gatshëm për një shkëmbim goditjesh. Ja se si e shprehur këtë një zyrtar i lartë i administratës Trump, në një bisedë me gazetarët ditët e fundit:

”Për shkak se po ushtrojmë nivele presioni, që nuk kanë ndonjë precedent historik, mendoj se mund të presim që Irani të rrisë kërcënimet e veta, duke shtuar sjelljen e tij të keqe”. Uashingtoni dhe Teherani, e shohin këtë përplasje përmes lenteve rozë, të ngjyrosura nga ideologjia.

Administrata Trump, sheh një Iran që po përballet me sanksione ndëshkuese; zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, janë duke iu thënë gazetarëve se brenda 6 muajsh, regjimi iranian do të duhet ose të arrijë një marrëveshje me SHBA, ose të përballet me një kaos në rrugët e vendit.

Në vend se të lehtësojë sanksionet, zyrtarët e Trump po flasin për shtimin e e tyre, duke prekur për shembull industrinë petrokimike. Analistët e inteligjencës në SHBA dhe jashtë, janë skeptikë rreth supozimeve të Trump mbi sjelljen e Iranit.

Nga ana e tyre, iranianët, duket se kanë mbërritur në përfundimin se përplasja është e vetmja mënyrë, për t’u përballur me atë që ata e shohin si një SHBA të pabesueshme dhe luftarake. Teherani deklaroi pak javë më pare, se pritja se mos ndryshon qasje administrata Trump, nuk po funksionon. Sanksionet e kanë dëmtuar shumë ekonomikisht, dhe Trump dukej se mund të rizgjidhet për një mandat tjetër.

Analistët amerikanë dhe evropianë, besojne se udhëheqësit iranianë, u dërguan më pas mesazhe trupave të Gardës Revolucionare dhe milicive të tyre në Irak dhe vende të tjera, që të fillojnë të planifikojnë sulme kundër objektivave amerikanë.

Këto mesazhe, të shoqëruara nga disa dërgesa të reja me raketa të Gardës Revolucionare, që mund të sulmojnë forcat e SHBA, bënë që në Pentagon të binin këmbanat e alarmit. Presidenti Trump ka marrë një qasje sikur është pranë nisjes së luftës, me supozimin optimist, por ndoshta të gabuar, se regjimi iranian do të kapitullojë nën peshën e presionit të madh.

Ai nuk dëshiron një luftë me Iranin (dhe është alergjik në fakt ndaj luftës në Lindjen e Mesme), por ai mendon se një Iran i dobët, do të negociojë me të një marrëveshje që kufizon mundësitë e tij për prodhimin e armëve bërthamore, si dhe ndërhyrjet rajonale.

“Unë jam i sigurtë, që Irani do të dëshirojë të bisedojë shumë shpejt me ne”-tha Trump të mërkurën. Kundër-reagimi nuk vonoi:Ajatollah Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, këmbënguli se ai nuk është i përgatitur të flasë me Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se i qëndron marrëveshjen së vitit 2015, duke paralajmëruar kolegët, se Shtetet e Bashkuara nuk janë një aktor i besueshëm, dhe se Teherani nuk do të mashtrohej sërish. Karriera e Khameneit, është e mbështetur në sfidën logjike të rezistencës.

Khamenei mund të vdesë, ose të rrëzohet nga pushteti. Por edhe nëse kjo ndodh, ka pak dëshmi se ai do të zëvendësohet me një regjim më të moderuar. Përveç rastit nëse Shtetet e Bashkuara, do të jenë të përgatitura për një luftë të gjatë deri në ndryshimin e regjimit.

Pra, cili është plani i Trumpit? Kjo është enigma, që nuk po zgjidhin dot analistët në Uashington dhe jashtë SHBA-së. Sikurse më tha senatori i pavarur Angus King këtë javë, “disa nga njerëzit e presidentit po sillen, sikur duan që Irani të ngacmojë Amerikën në hundë, në mënyrë që ne të mund ta godasim pastaj atë me një shkop bejsbolli”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment