Emiratet e Bashkuara Arabe simpozium për ekstremizmin dhe terrorizmin në arsim

SETH J. FRANTZMAN

Qendra e Emirateve për Studime dhe Hulumtime Strategjike organizoi një simpozium në Abu Dhabi të mërkurën, kushtuar përballjes me kërcënimet e ekstremizmit dhe terrorizmit.

“Në dritën e zhvillimeve të rrezikshme të ekstremizmit dhe terrorizmit, vetëm kundërmasat e sigurisë nuk janë më të mjaftueshme për të zhdukur këto mizori “, tha ECSSR në një deklaratë për shtyp.

Eventi është pjesë e një lufte më të madhe të udhëhequr nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të përdorur arsimin dhe besimin si një mënyrë për t’u përballur me terrorizmin në rajon dhe në botë. Ajo ka degëzime të rëndësishme sepse kjo luftë ka çuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe aleatët si Arabia Saudite dhe Egjiptin të përballen me Katarin lidhur me akuzat se mbështet Hamasin dhe Hezbollahun.

Gjatë ngjarjes së ECSSR, Hussein bin Ibrahim Al Hammadi, ministër i Arsimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, tha se është e rëndësishme që sistemi arsimor të marrë një qëndrim vendimtar kundër grupeve ekstremiste.

“Vlen të thuhet se vlerat, qëndrimet dhe idetë e përfshira në të gjitha fazat e sistemit arsimor të çdo shoqërie formojnë të ardhmen e kësaj shoqërie dhe përcaktojnë pozicionin e saj në botë”, tha ai, duke shtuar se kjo është e rëndësishme në të gjithë botën arabe. Kjo sidomos lidhet me “kurrikulat lidhur me fenë, për t’i çliruar ato nga papastërtitë e ekstremizmit dhe terrorizmit”, tha ai.

Sipas tweeter dhe kuotave të publikuara nga organizatorët, Drejtori i Përgjithshëm i ECSSRSH vuri në dukje se rajoni po përballet me sfida të veçanta për shkak të zhvillimeve të shpejta ditët e sotme.

Megjithëse simpoziumi nuk e përmendi në mënyrë të veçantë, grupet ekstremiste, si ISIS, kanë përdorur mediat dhe teknologjinë sociale për të arritur audiencën globale. Ata ndërtuan mbi atë që el-Kaida realizoi në vitet 1990, shpërndarjen pioniere të materialeve propagandistike dhe ndikimin e të rinjve.

“Kombi ynë arab dhe gjithë bota po kalojnë kohë të vështira”, tha dr. Tarek Shawki, ministër egjiptian i Arsimit dhe Arsimit Teknik, për simpoziumin.

Duke u përballur me sfidën e “terrorizmit dhe ekstremizmit”, ai kërkoi “edukimin e duhur të fëmijëve tanë dhe t’u ofrojë atyre arsimim inovativ që i ndalon këto fenomene njëherë e përgjithmonë”.

Ministri i Arsimit të Bahreinit, Dr Majed bin Ali Al-Nuaimi, i referohet Pranverës Arabe 2011 si pikë kthese, pas së cilës kërcënimet terroriste dhe ekstremiste “janë trajtuar në një mënyrë strategjike”.

Bahreini u trondit nga demonstratat në vitin 2011, të cilat u ndeshën me ndërhyrjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit të vendeve fqinje si Arabia Saudite, Bahreini, Kuvajti, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Folës të tjerë diskutuan rëndësinë e nxitjes së bashkëjetesës dhe nevojës për të përfshirë rolin e gruas në familje dhe në shoqëri.

Khalifa al Suwaidi i Universitetit UAE tha se mësuesit e historisë duhet të reduktojnë të përqendruarit në konflikte dhe të theksojnë kulturën dhe qytetërimin. “Mësimet e historisë duhet të pastrohen nga papastërtitë që synojnë të ulin historinë e kombit arab në betejat, luftërat dhe grushtet e shtetit”.

Gruaja e vetme që foli, Dr Karima al-Mazroui, drejtore ekzekutive e Këshillit Arsimor në Abu Dhabi, pohoi se ekstremistët shfrytëzuan materiale edukative për të rekrutuar individë. “Grupet ekstremiste kanë përfituar nga sistemi arsimor për të rekrutuar ndjekësit përmes përpjekjeve për të tërhequr mësuesit besnikë, duke prodhuar kurrikulën që mbështet ideologjitë e tyre”.

Megjithëse folësit më së shumti theksuan përgjithësime të gjera si “kalimi nga sasia në cilësi” dhe refreni i vazhdueshëm i kundërshtimit të “ekstremizmit” duke promovuar tolerancën dhe moderimin, mesazhi i përgjithshëm i simpoziumit është pjesë e një lufte më të madhe kulturore në rajon që kërkon përballjen me terrorizmin. Vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë luajtur një rol kyç vitet e fundit në pranimin se arsimi është një çelës krahas standardizimit të mesazheve fetare.

Kjo erdhi pasi grupe xhihadiste, si ISIS dhe al-Kaeda, ishin në gjendje të influenconin një brez të tërë në rajon, si dhe pasi Vëllazëria Myslimane fitoi zgjedhjet në Egjipt në 2012.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe veçanërisht zyrtarët e ministrisë së Jashtme kanë inkurajuar vendet perëndimore të përballen me grupe të tilla si Vëllazëria Myslimane dhe gjithashtu financimi dhe pritja e asaj që ata e quajnë “ekstremistë”. Kjo ka përfshirë një shkëputje në marrëdhëniet diplomatike me Katarin, që filloi në muajin qershor, me akuzat se ai mbështet grupe terroriste si Hamasi.

Terminologjia është e rëndësishme për këto shtete.

Richard Stengel, i cili shërbeu si nënsekretar i SHBA për diplomacinë publike dhe çështjet publike, vuri në dukje në shkurt të vitit 2017 se administrata e Obamës zgjodhi termin “ekstremizëm të dhunshëm” dhe jo terrorizëm islamik pas konsultimeve. “Aleatët tanë islamikë, jordanezët, emiratët, egjiptianët, sauditët besonin se termi [” islamik “] padrejtësisht përgojoi një fe të tërë”.

Përdorimi i fesë për të përballuar ekstremizmin është një aspekt kyç i asaj që u theksua në simpozium.

Prezantuesit folën për nevojën e promovimit të “Islamit të vërtetë” dhe për të çrrënjosur plan-programet e “papastërtive” duke ndërtuar shoqëri të forta nacionaliste.

Njohja nga këta edukatorë kryesorë është se sistemet shtetërore, të cilat kanë tendencë të përshtaten ngadalë, duhet të pranojnë se si grupet terroriste ishin kaq të suksesshëm në të kaluarën, në arritjen e invadimit në arsim.

Përktheu: Jonilda Zaimaj

Submit a comment