Emigrantët e mbyllur në kafaze, po e njollosin imazhin e SHBA-së

Nga Linda S. Heard “Gulf News”

Ku është reagimi ndërkombëtar ndaj raporteve se azilkërkuesit, mes tyre edhe fëmijë të sapolindur, po mbahen në qendrat e ndalimit në kufirin jugor të SHBA-së, pa pasur mjetet me minimale të jetesës?

A shtrihet “jashtëzakonshmëria” amerikane, edhe me trajtimin pa u ndëshkuar të 2.500 qenieve njerëzore më keq se sa kafshët? Imagjinoni zemëratën globale, që do të shkaktonte një vend tjetër më pak i fuqishëm, nëse do të zbuloheshin mijëra njerëz të pafajshëm të mbyllur në qeli pa batanije, sapuna, furça dhëmbësh apo ushqime të ngrohta.

Cili do të ishte reagimi në qoftë se një shtet arab, do të ndante me dhunë mijëra prindër nga femijët e tyre që qanin, apo do t’i kishin rrëmbyer të sapolindurit nga krahët e nënave së tyre? Grupi i punues i OKB-së, ka kritikuar ashpër Australinë për ndalimin e emigrantëve në kushte çnjerëzore në Ishullin Manus në Papua Guinenë e Re, dhe ka ushtruar shumë presion ndaj Libisë që të mbyllë kampet e emigrantëve, ku të paktën të paraburgosurit flenë në dyshekë.

Në rastin e Shteteve të Bashkuara, Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar me mirësjellje qasjen në këto kampe, kërkesë që është refuzuar. Kongresmenia demokrate Aleksandria Okasio-Kortez, është vënë nën syrin e kritikave të forta, për shkak se i krahasoi qendrat e ndalimit të emigrantëve në SHBA me “kampet e përqendrimit”.

Ish-kryetari i Kongresit, Njut Gingriç e cilësoi atë “mizore, të pandershme, dhe të vendosur të shkatërrojë Amerikën që njohim”. Në realitet, Amerika që ne njohim është një vend i përbërë nga emigrantë, që ikën nga vendet e tyre për shkak të vështirësive.

Ajo ka qenë një liman i sigurtë, e simbolizuar nga Statuja e Lirisë, pllakata e së cilës thotë:”Më jepni të lodhurit, të varfërit tuaj, që dëshirojnë të marrin frymë të lehtësuar!”. Teknikisht këto qendra janë kampe përqendrimi, sipas përkufizimit të Fjalorit të Kembrixhit, që me këtë term kupton “një vend ku një numër i madh njerëzish mbahen si të burgosur, në kushte jashtëzakonisht të këqija, veçanërisht për arsye politike”.

Në fakt, politika luan një rol të madh në ndalimin e emigrantëve, dhe në kushtet e neveritshme që ata janë të detyruar të qëndrojnë. Presidenti Donald Trump dëshiron t’i detyrojë ligjvënësit të ndryshojnë ato që ai i sheh si ligje liberale të azilit. Së dyti, ai beson se mbyllja e emigrantëve në kushte të këqija, do shërbejë si demotivim për të tjerët. Dhe së treti, sjellja e ashpër ndaj emigrantëve, garanton mbështetjen e tij elektorale në.

Brjana Kilmed deklaroi në Fox News:Na pëlqen apo jo, këta nuk janë fëmijët tanë. Tregoni dhembshuri ndaj tyre, por nuk është e njëjta gjë si ta bësh këtë me njerëzit nga Idaho ose Teksasi. Këta janë njerëz nga një vend tjetër, dhe tashmë njerëzit po thonë se ata janë më të rëndësishëm për shtetin, se sa njerëzit në vendin tonë që paguajnë taksat, dhe që kanë gjithashtu nevoja”.

Shumë prej nesh, do t’i shihnin fjalët e tij si ekstremiste. Unë u habita dhe zemërova kur lexova komentet e bëra nga shikuesit e Fox News. “Nuk janë fëmijët tanë!”- ishte shprehja më e zakonshme.

“Pse tatimpaguesit amerikanë duhet të paguajnë faturën për sapuna dhe pasta dhëmbësh? Ata janë këta fëmijë këtu në mënyrë të paligjshme?”. Qëndrime të tilla, duket se legjitimojnë pikëpamjen se fëmijët e ndaluar konsiderohen si kriminelë, edhe pse në shumë raste ata i nënshtrohen kushteve më të këqija sesa të burgosurit e burgjeve të sigurisë së lartë, dhe madje edhe atyre të Guantanamos.

Avokatët, që vizituan një qendër të tillë në Klint të Teksasit, panë fëmijët e vegjël pa pelena, për të cilët kujdeseshin fëmijët e tjerë 7-8 vjeçarë, dhe me rrobat e tyre që ishin bërë shumë pis. Shumica prej tyre nuk kanë akses në dushe, apo mundësi për të ndërruar rrobat.

Shumë nga fëmijët që ishin të sëmurë, nuk po kuroheshin, thanë ata. Disa vizitorë u ndaluan të flisnin me fëmijët. Mjekë pediatër kanë dalë vullnetarë për t’i ndihmuar, por janë refuzuar. Ata fëmijë të traumatizuar, nuk kanë asnjë zë në botën e jashtme, por imazhet e tyre flasin më shumë se sa mijëra fjalë.

Unë pyes veten:Sa prej tyre do ta vuajnë për gjithë jetën traumën e ndarjes nga prindërit dhe burgosjen e tyre? Një numër i madh i këtyre fëmijëve, kanë anëtarë të familjes në SHBA. Shumë nga fëmijët më të rritur kanë numrat e telefonit apo adresat e të afërmve, por me disa përjashtime nuk ka pasur përpjekje për t’i ribashkuar.

Ndërsa mund të kuptoj shqetësimet e administratës së SHBA, se vendi po përmbytet nga valë të shumta emigrantësh ilegalë, sjellja mizore nuk mund të jetë njëzgjidhje për kombin më të pasur në botë, që ka pretenduar të jetë gjithmonë një bastion i lirisë dhe i të drejtave të njeriut. Një alternativë më e mirë, do të ishte ndihma ndaj vendeve të tyre, për t’i bërë ato të kenë shanse dhe mundësi reale për të jetuar në paqe, mirëqenie dhe siguri.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment