ELBASAN/FETARËT USHTROJNË E NXISIN DEMOKRACI AKTIVE KOMUNITARE

U prezantua ditën e sotme projekti i radhës i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan me temë “Fetarët Ushtrojnë e Nxisin Demokraci Aktive Komunitare”. Ky projekt do të zbatohet në 3 bashkitë e Qarkut Elbasan; Elbasan, Cërrik e Belësh me kohëzgjatje 9 muaj (Gusht 18 – Prill 19), me mbështetjen financiare nga Lëviz Albania.

Qëllimi i këtij projekti është aktivizimi i komuniteteve fetare në dobi të shoqërisë dhe komunitetit. Shpesh politika e përjashton qytetarin nga vendimmarrja, duke mos e bërë pjesë aktive të jetës shoqërore. Por edhe qytetarët duket sikur e kanë pranuar këtë fakt dhe tregohen pasiv ndaj çdo vendimmarrje që merr politika duke mos e ndier të nevojshme të ndërhyjnë apo të ngrejnë zërin edhe nëse ata cënohen personalisht.

Kështu lindi edhe ideja e projektit më të ri FUNDAK, i cili në qendër të qëllimit ka informimin, ndërgjegjësimin si dhe sensibilizimin e qytetarëve që të jenë aktive në jetën publike.

Gjatë preantimit të projektit i cili u moderua nga Dr. Arben Ramkaj, kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, folën me radhë edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare, Myftiu i Elbasanit z. Agim Duka, drejtuesi i Komunitetit Ortodoks për Elbasanin Hirësia Andon Merdani, Përfaqësuesi i Komunitetit Katolik Don Giussepe Degulielmo dhe Përfaqësuesi i Aleancës Ungjillore Pastor Ilirjan Gjoni, të cilët njëzëri theksuan rëndësinë e një projekti të tillë si dhe rolin e tyre në zbatimin e tij. Klerikët theksuan se është e rëndësishme që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe që ka ardhur koha që t’i jepet fund tranzicionit të gjatë dhe që qytetarët të marrin frenat në dorë dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Problemi i “pjesëmarrjes qytetare” është se njerëzit tanë vetëm shprehin opinionin e tyre të përgjithshëm, por pa ndier detyrimin për të marrë pjesë jo vetëm në debate  politike, por në radhë të parë të jetë pjesë aktive në ndërtimin e “projekteve sociale” komunitare, në angazhimin permanent dhe në dhënien e mendimeve konkrete. “Qytetari sa më afër politikës, qeverisë, strukturave të jetës publike që të jetë, aq më aktiv është”…-tha ndër të tjera myftiu i Elbasanit, z. Agim Duka.

FUNDAK do të implementohet në tri Bashki: Elbasan, Cërrik dhe Belsh. Përfitues të këtij projekti do të jenë 3000 qytetarë.

Submit a comment