Ekspertët:Supremacia e bardhë në SHBA, duhet luftuar si terrorizëm, njëlloj si ISIS dhe Al Kaeda

Nga Mallory Simon &  Sara Sidner  “CNN”

Amerikanët po vriten. Dhe kjo nuk po ndodh se gjenden në vendin apo kohën e gabuar. Po ata po masakrohen për shkak se janë hebrenj, zezakë, apo thjesht jo “pastërtisht” të bardhë, pasi shihen si një “murtajë” që duhet zhdukur.

Vrasës të tillë, janë pasues të një ideologjie të ligë dhe urryese, që përmbush përkufizimin zyrtar të FBI-së për terrorizmin. Por disa zyrtarë të lartë aktualë dhe të mëparshëm të zbatimit të ligjit, thonë se ata nuk trajtohen si terroristë, për shkak se janë amerikanë të bardhë.

Por në kushtet e rritjes së numrit të sulmeve vdekjeprurëse nga supremacistët e bardhë, zyrtarët thonë se qasja duhet të ndryshojë. Sipas tyre, supremacia e bardhë duhet të quhet terrorizëm, dhe të trajtohet me të njëjtën forcë si ISIS dhe Al-Kaeda.

Prokurori i qarkut të Manhatanit, Saj Vens, e kuptoi këtë duke hetuar vrasjen e një zezaku në qendër të Nju Jorkut. 66-vjeçari Timoti Kaugman ishte duke ecur vetëm në zonën e Midtaunit, për të mbledhur kanaçe kur pa një njeri që i afrohej nga pas. Ai i nguli një thikë të madhe në gjoks.

Në grahmat e fundit Kaugman, e pyeti vrasësin:”Pse po e bëni këtë?”. Por vrasësi vazhdoi ta godiste, derisa ai ndërroi jetë. Autori i këtij akti makabër, Xhejms Xhekson, kishte ardhur në Nju Jork nga Merilendi me një plan të qartë në kokën e tij për të filluar një luftë racore.

“Ajo ishte më shumë se një vrasje”- thotë Vens. “Ishte më shumë se sa një krim urrejtjeje. Ishte vrasja e qëllimshme e një zezaku, me synim ndarjen e racave dhe nisjen e një lufte ndaj njëri-tjetrit, që do të përfundonte sipas manifestit të Xhekson me vdekjen e çdo zezaku në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën”- thotë Vens.

Ai e akuzoi Xheksonin për terrorizëm vendas. Por Vens thotë se amerikanët e kanë vështirë ta pranojnë këtë realitet. Për ta, është shumë më e lehtë që ta etiketojnë terrorist një person, që ka një ngjyrë të ndryshme të lëkurës, ose që nuk flet anglisht.

“Por nëse jeni duke u përpjekur të përhapni frikë, dhe të zhdukni një grup të caktuar njerëzish, si Xhekson, atëherë duhet të etiketoni si një terrorist”- ngulmon prokurori amerikan. Nga masakra në një kishë në Çarlston, tek masakra në Sharlotsvil, apo të shtënat në sinagogat e Pitsburg dhe Pouej, ekstremistët e ekstremit të djathtë janë përgjegjës – ose të dyshuar për – shumicën e vrasjeve ideologjike në Amerikë në 10 vitet e fundit , sipas për të dhënave nga Lidhja Anti-Shpifj (ADL), që gjurmon aktivitetet ekstremiste.

Vrasjet e supremacistëve të bardhë në SHBA, u dyfishuan në vitin 2017, me grupet ekstreme dhe supremacistët e bardhë, që janë “përgjegjës për 59 për qind të të gjitha viktimave të lidhura me ekstremistët në SHBA në vitin 2017”

E megjithatë terrorizmi supremacist i bardhë shpesh injorohet. Presidenti Donald Trump, ka thënë se nuk e konsideron nacionalizmin e bardhë si një kërcënim global në rritje. Kur u pyet mbi masakrën në një xhami në Zelandën e Re, ai u përgjigj:”Mendoj se është një grup i vogël njerëzish, që kanë probleme shumë të rënda mendore!s”.

Në disa aspekte, autorët e vrasjeve me sfond racist, pasqyrojnë sjelljet e atyre që kanë kryer më herët sulme të huaja terroriste. Radikalizimi, veçanërisht ai në internet, është i ngjashëm me ata që premtojnë besnikëri ndaj ISIS ose Al-Kaedës, thonë ekspertët. Një nga dallimet e dukshme, është se këta ekstremistë janë të bardhë.

Vrasësi i Timoti Kaugman, ishte përqendruar në urrejtjen e tij për burrat afro-amerikanë, përpara se të udhëtonte drejt Nju Jork dhe të kryente vrasjen. Tre javë para se të kryente sulmin, ai kishte kaluar shumë ditë dhe netë në internet, duke studiuar nazizmin dhe ekstremizmin, deri sa u bind që të ndërmerrte aktin ekstrem.

Ai lexoi shumë edhe rreth Dilan Ruf, që vrau 9 besimtarë zezakë në një kishë në Çarleston në vitin 2015. “Lufta racore botërore fillon sot. Zezakët, janë padyshim të parët në listë për t’u shfarosur”-shkruante Xhekson në manifestin e tij racist.

Ndihmës drejtori për antiterrorizmin në FBI, Majkëll Mekgariti dëshmoi në Konges javën e kalar, duke thënë se FBI-ja ka ndërmarrë 850 hetime mbi aktet e terrorizmit vendas, ku 40 për qind kanë të bëjnë me rastet e ekstremizmit të dhunshëm të motivuar nga raca. “Theksojmë se ekziston një kërcënim i brendshëm terrorist, që është i vazhdueshëm”- tha ai.

Përktheu:Alket Goce

 

 

 

Submit a comment