E vërteta mizore, e kontrollit të rritjes së popullsisë në botë

Nga Chelsea Follett “National Interest”

Qeveria e Kanadasë, ka publikuar së fundmi një raport arrin në përfundimin se keqtrajtimi i grave indigjene, është i ngjashëm me atë të një gjenocidi, duke cituar ndër të tjera, edhe sterilizimet e imponuara.

Në Amerikën e Veriut, paragjykime të ndryshme motivojnë politika imponuese të kontrollit të popullatës. Në Azi, ku sot ndodhin më shumë sterilizime të detyruara, alarmizmi i pabazuar i mbipopullimit, cilësohet si justifikimi kryesor.

Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim moral apo praktik, për sterilizimin e detyruar të grave. Në fund të vitit 2018, 60 gra kanadeze indigjene, pretenduan se i ishin nënshtruar sterilizimit të detyruar, dhe kishin paditur në gjykatë sistemin shëndetësor të provincës Saskatçeuan.

Pretendime të reja, kanë dalë edhe gjatë këtij viti, dhe një dëshmi e kohëve të fundit, pretendon se një sterilizim i pavullnetshëm ka ndodhur në fund të dhjetorit të vitit kaluar. Shtetet e Bashkuara, kanë historinë e saj të errët të sterilizimeve të detyruara.

Rreth 70.000 njerëz u sterilizuan me dhunë gjatë shekullit XX, në zbatim të ligjit “eugjenik” në Shtetet e Bashkuara. Eugjenika, ishte pseudoshkenca që synonte të përmirësonte cilësinë e popullsisë, duke parandaluar pasjen e fëmijëve, nga njerëzit që mendohej se kishin gjene inferiore.

Grupet e margjinalizuara si indianët vendas, ishin veçanërisht më të prekur ndaj tyre. Gjatë viteve 1960-1970, 1 në 4 gra indigjene iu nënshtruan sterilizimit, një shifër që u rrit deri në 50 përqind midis viteve 1970-1976. Rastet e fundit të sterilizimit të detyruar në SHBA, kanë vënë në shënjestër të burgosurit, duke i bërë kësisoj jehonë politikave më të hershme eugjenike, për të eliminuar sjelljen kriminale në shoqëri.

Shteti i Tenesit, e ndaloi vetëm vitin e kaluar sterilizimin e detyrueshëm të të burgosurve. Në vitin 2014, Kalifornia miratoi një ligj që i ndalon burgjet të sterilizojnë të burgosurit, pa konsensusin e këtyre të fundit. Më shumë se një e katërta e operacioneve të sterilizimit në burgjet kaliforniane gjatë viteve 2004-2013, janë kryer pa pëlqimin e të burgosurit.

Është tejet a shqetësues fakti, që raportet e kontrollit të dhunshëm të numrit të popullsisë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, flasin për abuzime në një shkallë shumë më të madhe, sesa ndodh aktualisht në Indi dhe Kinë.

Në vitin 2016, Gjykata Supreme e Indisë deklaroi se “shpesh pacientëve nuk u merret pëlqimi paraprak, përpara se të kryehet kjo procedurë” në kampet e sterilizimit masiv, duke e urdhëruar qeverisë që t’i ndërpresë ato. Megjithatë, një hetim zbuloi vitin e kaluar se kampet vazhdojnë të funksionojnë njëlloj si para vendimit të vitit 2016.

Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Praktikat e të Drejtave të Njeriut për vitin 2018,  zbuluan  se në Kinë vazhdojnë të ndodhin “aborte dhe sterilizime të detyruara“, të cilat mundësuan zbutjen e “politikës së një fëmije për familje”, duke filluar që nga viti 2016.

Viktimat e rasteve të fundit të sterilizimit të detyruar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, i përkasin grupeve të margjinalizuara:gratë indigjene në Kanada, dhe të burgosurve shpesh të pakicave etnike. Motivi kryesor i masave shtrënguese të kontrollit të popullsisë në Kinë dhe Indi, është i ndryshëm: shqetësimet rreth të ashtuquajturit mbipopullim.

Në vitet 1970, artikujt alarmistë si raporti i Klubit të Romës “Kufijtë e rritjes”, dhe libri i biologut të Universitetit të Stenfordit, Pol Erlih “Bomba e popullimit”, ndihmuan në përhapjen e frikës, se mbipopullimi do të zvogëlojë burimet dhe do të sjellë mungesa katastrofike.

Kjo frikë nxiti programet për kontrollin e rritjes së popullsisë. Në vitet 1970, e inkurajuar nga dhjetëra milionë dollarë të marra hua Banka Botërore, Autoriteti Suedez për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Fondi i Popullsisë i OKB, India nisi përpjekjet e para të sterilizimit në shkallë të gjerë të popullatës. Këto përpjekje arritën kulmin në vitin 1975, kur kryeministri pezulloi liritë civile për shkak të një “emergjence kombëtare”, dhe sterilizoi 6 milionë  njerëz në vetëm 1 vit.

Në vitin 1979, Kina nisi zbatimin e politikës së saj famëkeqe të “një fëmije për familje”, të frymëzuar pikërisht nga libri ”Kufijtë e rritjes”. Por veç frikës së mbipopullimit, në Kinë dhe Indi, ka edhe raste të paragjykimeve ndaj pakicave etnike ose fetare.

Shumë viktima të abortit të detyruar, janë pakica si kazakët dhe ujgurët. Këto grupe praktikojnë Islamin, një fe e pakicës, të cilën qeveria kineze e  konsideron si “jo shumë kombëtare”. Ndërkohë vitin e kaluar, një ministër i njërës nga dy partitë kryesore politike në Indi, mendonte  se qeveria duhet të miratojë “një ligj mbi kontrollin e popullsisë”, për të shpëtuar Indinë nga popullsia jo-hindu, që sipas tij po rritet me shpejtësi.

Edhe pse vetëm abuzimet, janë një arsye e mjaftueshme për të kundërshtuar politikat imponuese, premisa se “mbipopullimi” është një problem serioz, nuk është e saktë. Përkundrazi, studimet reja tregojnë se rritja e popullsisë, ecën paralelisht me shtimin e burimeve.

Për më tepër, zhvillimi ekonomik shkakton rënie të normave të lindjeve, pa pasur nevojë për masa të tilla të ashpra të kontrollit të popullsisë. Tashmë është e mirë-dokumentuar, që ndërsa vendet bëhen më të pasura, dhe njerëzit dalin nga varfëria, ata priren të kenë një familje më të vogël.

Kjo dukuri quhet tranzicioni i fertilitetit. Prandaj, histeria mbi mbipopullimin, është po aq e pabazë, sa edhe kufizimi me forcë i riprodhimit. Pavarësisht nga motivet, kontrolli i dhunshëm i popullatës mbetet diçka e neveritshme.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment