E djathta populiste, po e keqpërdor fenë për interesat e saj elektorale

Nga Daniel Steinmetz-Jenkins & Anton Jager “The Guardian”

Pse ka aq shumë qytetarë fetarë, të tërhequr nga retorika e udhëheqësve autoritarë si Mateo Salvini , Viktor Orban, Xhair Bolsonaro dhe Narendra Modi? Edhe në vendet me një traditë të fortë shekullare si Franca dhe Holanda, populistët e djathtë si Marin Lë Pen dhe Gert Vilders, përdorin një gjuhë që e paraqet “judeo-kristianizmin” si shtyllë të qytetërimit të Evropës Perëndimore.

Në Belgjikë, partia nacionaliste flamande N-VA, është bërë e njohur duke mbrojtur institucionet e “e braktisura” nga Kristianët Demokratët, siç është sistemi katolik i shkollimit, dhe shërbimet në kisha. Në Itali, Salvini puthi publikisht kryqin, pasi u shpallën rezultatet e zgjedhjeve evropiane.

Në Hungari, Orban e ka kthyer mbrojtjen e “qytetërimit të krishterë” në doktrinën zyrtare shtetërore. Duke mbajtur një fjalim në Varshavë, ku partia në pushtet Ligj dhe Drejtësia, prezantohet si krahu politik i katolicizmit konservator, presidenti amerikan Donald Trump i bëri jehonë thirrjes së dikurshme të Papa Gjon Palit II:”Ne duam Zotin”.

Është e qartë se ekziston një lidhje kyçe, ndërmjet populizmit dhe fesë. Ne nuk po jetojmë më në një eppkë të tillë të pjesëmarrjes masive, qoftë në politikë apo në fe. Partitë dhe shoqatat civile, kanë përjetuar një rënie dramatike të anëtarësisë gjatë 30 viteve të fundit, në të gjitha demokracitë perëndimore. Kishat tradicionale, i kanë humbur pasuesit e tyre në favor të komuniteteve të reja të besimit.

Megjithatë, ka arsye të forta për ta parë shumicën e populizmit të sotëm si deri diku një reagim fetar. Tradicionaliteti Euroaziatik i Vladimir Putinit, Demokracia Kristiane e Viktor Orban, Judeo-Kristianizmi i Donald Trump, Prosperiteti Pentekostalist i Bolsonaros, Katolicizmi Populist i Salvinit dhe Nacionalizmi Hindu i Modit, flasin që të gjitha për një reagim të frymëzuar fetar ndaj qeverisjes laike.

Ato që janë gërryer dekadat e fundit, nuk janë thjesht vlerat demokratike ose liberale në vetvete. Ka pasur ndërkohë edhe një dyshim në rritje ndaj shekullarizmit dhe elitave shekullare që e përhapin atë Ky dimension i momentit tonë politik, shpjegon një pjesë të arsyes së përse populistët e djathtë kanë pasur kaq shumë suksese vitet e fundit:ata janë treguar shumë të aftë në “rrëmbimin” e fesë, dhe përdorimin e saj për interesat e tyre të ngushta.

Dhe kjo lloj shfaqje e fesë në jetën publike, s’ka të bëjë me forcën doktrinore të jetës fetare, pasi praktika fetare vazhdojnë të zbehen në mënyrë të qëndrueshme në shumicën e demokracive perëndimore, dhe shumica e qytetarëve nuk janë të përfshirë në institucione fetare.

Në vend të kësaj, përdorimi i fesë nga populistët, duket se ofron një mënyrë për të krijuar një konsensus të ri. Është një mjet për të angazhuar një shoqëri që ndihet se e ka humbur busullën e saj morale. Fashisti francez Sharl Moras, thoshte se ai vetë nuk besonte në Zot, por “mendonte se ishte e rëndësishme që njerëzit të besonin në të”. Mes efekteve marramendëse të globalizimit, një populizëm i tillë ofron një mënyrë për ta përfshirë kapitalizmin në një lloj kornize tradicionale fetare.

Këta populistë, po ndjekin skenarin e Stiv Benon, që pretendon se kriza financiare globale erdhi për shkak se nuk e respektua vetëpërmbajtja e kërkuar nga traditat fetare, dhe për shkak të efekteve gërryese të shekullarizmit të të pafeve. Një e majëa që i përgjigjet këtyre zhvillimeve, nuk duhet të heqe dorë nga angazhimet e veta laike. Por do të ishte mire, që ajo të njihte fuqinë e gjuhës fetare, dhe aftësinë e saj për të rregulluar normat.

Shënim:Daniel Steinmetz-Jenkins, është lektor në Institutin Xhekson për Çështjet Globale, SHBA. Anton Jager, është doktorant i historisë në Universitetin e Kembrixhit.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment