Diplomacia, po përpiqet të zbusë tensionet midis Iranit dhe SHBA-së

Nga Pierre Haski “Internazionale”

Në krizën mes Iranit dhe SHBA-së, diplomatët duken si zjarrfikësit që po përpiqen të fikin një zjarr të madh shkatërrues, duke qenë të pajisur vetëm me kova me ujë. Përtej kësaj metafore, arma e vetme që ka në dispozicion diplomacia ndërkombëtare në këtë pikë, është vullneti i mirë.

Ndonjëherë kjo funksionon, por ndodh rrallë. Emanuel Bone, këshilltari diplomatik i presidentit francez Emanuel Makron, shkoi në Teheran të martën në një kohë kur tensionet janë shumë të larta. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Atomike, IAEA, ka konfirmuar se Irani ka filluar tashmë të pasurojë uraniumin përtej kufijve të imponuar nga marrëveshja ndërkombëtare, e nënshkruar në vitin 2015.

Kjo nuk do të thotë se regjimi Iranian, mund të jetë i aftë ndërtojë një bombë atomike brenda natës. Por kufizimi ishte gjithsesi ndalesa e pare, në rrugën e gjatë prej së cilës Teherani kishte hequr dorë 4 vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara e dënuan menjëherë levizjen e autoriteteve iraniane, si një tjetër hap në drejtim të përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve mes dy vendeve prej disa javësh, dhe që i ka rrënjët tek vendimi i Donald Trumpit vitin e shkuar, për të tërhequr vendin e tij nga marrëveshja mbi programin bërthamor iranian.

Teherani ka vepruar me qëllim dhe pa u fshehur. Në këtë kuptim, lëvizja e tij është më shumë politike sesa ushtarake. Objektivi i tij kryesor, është të provokojë një krizë ndërkombëtare, në vend se të vuajë ende në heshtje pasojat e krizës ekonomike, të provokuar nga sanksionet e ashpra amerikane.

Në fakt Uashingtoni, po vazhdon të pengojë Iranin që të shesë në tregjet ndërkombëtare naftën e tij. Shkelja e hapur e marrëveshjes së vitit 2015, është një përpjekje e Iranit për të forcuar rolin e garantuesve të tjerë të marrëveshjes – Evropës, Rusisë dhe Kinës – që deri më tani kanë qenë të kënaqur me një denoncim të kujdesshëm të politikës amerikane në këtë aspekt.

Evropianët janë në ballë të kësaj lëvizje. Aleatët e Shteteve të Bashkuara, ata zgjodhën të mos e ndiqnin shembullin e Donald Trumpit, duke konfirmuar pajtueshmërinë e tyre me kushtet e marrëveshjes, dhe po përpiqen ende t’i ofrojnë Iranit një “kamardare” shpëtimi.

Mekanizmi evropian i shkëmbimit, Instex, do të hyjë së shpejti në fuqi, por fushëveprimi i tij do të jetë i kufizuar:ai do të sjellë lehtësim në fushën e tregtisë dhe shkëmbimeve financiare, por nuk do ta shpëtojë kurrë Iranin.

Franca ka avantazhin e të qënit në gjendje të bisedojë me të dyja palët. Makron ka qenë në kontakt me presidentin iranian Hasan Rohani, dhe atë amerikan Donald Trump që nga e shtuna e kaluar. Nëse është e nevojshme, presidenti francez madje mund të vizitojë Teheranin.

Në fillim, synimi i diplomacisë franceze do të jetë i kufizuar:arritja e uljes së tensioneve në një situatë jashtëzakonisht të paqëndrueshme. Por Teherani nuk do të tërhiqet pa u lehtësuar sanksionet kundër eksporteve të naftës, dhe nuk është e thënë që Makron të arrijë të bindë për këtë Donald Trumpin, në kushtet kur tashmë ka dështuar në përpjekjen e tij për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore, gjatë vizitës së tij në Uashington vitin e kaluar.

Ky kombinim problemesh, lind nga veprimtaria e “skifterëve” të vijës së ashpër të dyja kampet. Në Uashington, këshilltari i sigurisë kombëtare, Xhon Bolton, përpiqet të provokojë rënien e regjimit iranian, ndërsa në Teheran kujdestarët e revolucionit, nuk e kanë përtypur asnjëherë marrëveshjen me armikun e betuar.

Franca ka të drejtë të përpiqet në çdo mënyrë, që të shmangë një krizë shkatërruese në këtë zonë të Lindjes së Mesme. Nga ana tjetër, diplomacia është arti i rilidhjes së nyjeve të këputura. Por është e vështirë që kjo të jetë e mjaftueshme për të shuar “zjarrin” është ndezur aktualisht.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment