Denuklearizimi i Koresë së Veriut, mbetet një perspektivë e largët

Nga Andrew Hammond “Arab News”

Nesër mbushet 1 vit nga samiti historik i Singaporit mes presidentit amerikan Donald Trump, dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Un. Pavarësisht toneve entuziaste të Shtëpisë së Bardhë, bisedimet dështuan ashtu si edhe mund të parashikohej.

Dhe ato kanë të ngjarë të dështojnë sërish, çka mund të ketë pasoja të rrezikshme dhe të paparashikueshme. Arsyeja e dështimit, kishte të bënte me hendekun e madh të pritshmërisë që krijoi samiti i qershorit të vitit të kaluar.

Ai vetëm sa shënoi fillimin e një dialogu potencialisht transformues dhe të qëndrueshëm strategjik. Trump tha se “kërcënimi bërthamor nga Koreja e Veriut ka mbaruar”, duke dhënë përshtypjen se ai tashmë i kishte dhënë fund procesit të jashtëzakonisht të ndërlikuar të uljes se tensioneve, në kufirin e fundit të epokës së Luftës së Ftohtë.

Duke parë përpara, presidenti amerikan shfaqet ende optimist për procesin, duke këmbëngulur se Kim Jong Un e dëshiron një marrëveshje. Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e këtij optimizmi, mbështetet në vlerësimin e ekzagjeruar që Trump ka mbi aftësitë e tij personale, për të ndërmjetësuar një marrëveshje.

Përtej këtij vetë-mashtrimi, Trump mbetet shumë i varur nga erërat gjeopolitike që fryjnë në Gadishullin Korean, dhe që ai shpreson të kthehen sërish në favor të tij. Pavarësisht vlerësimeve nga komuniteti amerikan i inteligjencës për të kundërtën, ai shpreson se Kim mund të bindet ende të denuklearizojë vendin e tij, në një mënyrë shumë më të plotë se sa ka pranuar deri tani.

Teksa fushata e presidenciale të vitit 2020 po afron, perceptimet e një fitorje të tillë në politikën e jashtme, mund t’i jepnin një bonus të madh politik në një palë zgjedhje, që mund të rezultojnë tepër të vështira për të.

Pa arritje të tjera të dukshme ndërkombëtare në horizont, përveç një mundësi për momentin të zbehtë të arritjes së një marrëveshjeje të madhe tregtare me Kinën, Trump ka shumë arsye të takohet dhe negociojë sërish me Kim.

Megjithatë, ndërsa nuk mund të përjashtohet ndonjë zhvillim i papritur, që të ketë përparim duhet të ndryshojë ndjeshëm atmosfera që rrethon këto bisedime. Në samitin e Vietnamin në shkurt të këtij viti, pati dallime të qarta midis të dyja palëve, veçanërisht mbi fushëveprimin dhe ritmin e denuklearizimit dhe lehtësimin e sanksioneve, çka nxorri në pah mungesën e një planifikimi paraprak të SHBA-së mbi këtë çështje, dhe rrezikun politik të mbajtjes së një samiti tjetër.

Ndoshta paralelja më e afërt me kompleksitetin dhe natyrën e vështirë të bisedimeve me Phenianin, është ajo e bisedimeve që kreu administrata e Obamës mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit, të cilat zgjatën për shumë vite.

Edhe sot nuk është ende e qartë, nëse ekipi i Trump ka një strategji gjithëpërfshirëse të qartë dhe koherente ndaj Koresë së Veriut. Ashtu si në vitin 2018, çështja kryesore që duhet zgjidhur nga Shtëpia e Bardhë, është ajo që do të jetë e nevojshme për të çuar përpara procesin.

Pas Vietnamit, Koreja e Veriut reagoi ashpër pas postimit në rrjetet sociale nga Trump, se arsyeja e ndërprerjes së bisedeve, ishte për shkak se Kim kërkoi heqjen e plotë të sanksioneve. Pheniani pretendon se ka kërkuar vetëm lehtësime të pjesshme të sanksioneve, dhe se bëri një ofertë për të ndaluar përgjithmonë testimin e raketave bërthamore.

Një nga arsyet pse Koreja nuk mund të lëvizë nga pozicionimi i saj aktual, është se deri më sot është Kim dhe jo Trump, ai që është shfaqur si fituesi më i madh nga ky proces bisedimesh. Udhëheqësi i Koresë së Veriut, ka marrë disa lëshime nga SHBA, edhe pse ka rifilluar testimin e raketave.

Në kundërpërgjigje presidenti amerikan, ka bërë thirrje për stërvitje të përbashkëta ushtarake midis forcave amerikane dhe atyre të Koresë së Jugut; e ka mbyllur për momentin perspektivën e lehtësimit të sanksioneve mbi Phenianin, ka thënë se nuk do të nxitojë për të përfunduar procesin e negociatave; dhe se shpreson të takohet për herë të tretë me udhëheqësin e Koresë së Veriut.

Dhe kjo në një kontekst ku ka dëshmi se Pheniani, po vazhdon pasurimin e uraniumit, dhe ka rritur normën e prodhimit të raketave. Ndërkohë Trump mbetet nën një presion të mundshëm politik në SHBA, për të hequr një “vijë të kuqe” mbi Phenianin që ka armë bërthamore të afta për të goditur territorin amerikan.

Dhe këtu ai është i vetëdijshëm se testet raketore të vitit 2017, dëshmuan se Kim është pranë zhvillimit të një arme bërthamore, të aftë të bartet në një raketë balistike ndërkontinentale, që mund të godasë SHBA-në.

Në përgjithësi bisedimet Trump-Kim nuk janë ende asgjëkundi, dhe ndryshimi historik mund të jetë ende i largët. Për të shfrytëzuar ndonjë mundësi të mbetur, ekipi i presidentit duhet të ngrejë lojën e tij; përndryshe ka të ngjarë të imitojë administratat e mëparshme, që nuk arritën të prodhojnë një përfundim të qëndrueshëm paqësor, të njërës prej sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet Uashingtoni dhe bota.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment