Ç’mund të mësojë Ballkani Perëndimor nga e kaluara, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë?

“European Western Balkans”

Shkup – Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, ishte çështja kryesore e diskutuar në ditën e parë të forumit të disa think-tankeve të rajonit, me temë “Forcimi i Integrimit Evropian në Ballkanin Perëndimor:Si të mësojmë nga e kaluara, përgatitja për të ardhmen”.

“Procesi i Berlinit, e humbet fuqinë e tij nëse zgjerimi i BE-së nuk është mjaftueshëm i besueshëm. Dyert e BE-së, duhet të jenë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor”-vuri në dukje presidenti i Institutit për Demokraci Societas Civilis (IDSCS), Marko Troshanovski në fjalën e tij përshëndetëse.

Ndërkohë duke folur për marrëdhëniet rajonale, zv/ministri i Jashtëm i Maqedonisë Veriore Andrej Zhernovski, tha se në rajon “nuk ka konflikte të ngrira, por vetëm zgjidhje të ngrira”.

“Ne nuk do të ndryshonim, dhe s’mund të ndryshojmë rrugën tonë. Për të përforcuar të ardhmen tonë, duhet të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal”- tha ai. Zhernovski shtoi se të gjithë e kuptojnë rëndësinë e reformave, teksa shtoi se procesi i integrimit është më transparent se më parë.

“Shpresojmë që në qershor të kemi një mesazh pozitiv, dhe të fillojmë procesin e anëtarësimit në BE. Ne jemi më shumë se sa gati, për të nisur fazën e re. Me Marrëveshjen e Prespës, bëmë një hap të madh përpara.

Nëse BE-ja nuk i shpërblen përpjekjet tona, ajo do të humbasë shumë besueshmëri në rajon, dhe do t’i dërgojë mesazhin e gabuar sundimtarëve autoritarë të orientuar drejt reformave në Ballkanin Perëndimor”- shpjegoi Zhernovski.

Ndërkohë Kai-Olaf Lang i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, thotë se disa elementë kanë përhapur skepticizëm përkundrejt perspektivës së BE-së. “Unë besoj se zgjerimi është një sukses. Pse ka një lodhje nga zgjerimi?

Për shkak se përfitimet nga zgjerimi, nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë. Politika e BE-së, është ta mbajë klubin të bashkuar, në vend të pranimit të anëtarëve të rinj. Ne kemi ndërkohë një perceptim selektiv të raundeve të fundit të zgjerimit”- vuri në dukje Kai-Olaf Lang.

Drejtuesi i Analizës së Strategjisë në Institutin Ekonomik Polak, Łukash Çernicki”, foli për përvojën polake në lidhje me procesin e pranimit, dhe përfitimet në aspektin ekonomik. “Nëse Polonia nuk do t’i bashkohej BE-së në vitin 2004, ekonomia e saj do të ishte 12 për qind më e vogël se sa tani, dhe eksportet 30 për qind më të ulëta” tha Çernicki.

Ndërkohë, sekretarja e përgjithshme e Lëvizjes Europiane në Serbi, Suzana Grubjesiç theksoi se gjërat kanë ndryshuar, që kur vendet e Evropës Qëndrore u bënë anëtare të BE.”BE-ja ka ndryshuar, procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor gjithashtu. Por nga kjo mund të nxirren disa mësime si është bashkëpunimi rajonal, që unë besoj se është shumë i rëndësishëm”- tha Grubjesiç.

Ajo e vuri theksin mbi çështjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor. “Ne duhet të përmirësojmë bashkëpunimin tonë si Grupi i Vishegradit, kemi nevojë për fqinjët tanë në Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë me vendet e tjera anëtare të BE-së”- shtoi Grubjesiç.

Duke u ndalur tek Procesi i Berlinit, ajo shpjegoi se e konsideron atë një model pozitiv, por që sipas saj nuk përbën një zëvendësues të pranimit në BE. Grubjesiç pyeti se përse Komisioni i BE, e ka shtyrë publikimin e raportit vjetor, mbi përparimin e secilit vend aspirant. “Pse ekziston një atmosferë e tillë e zgjerimit të BE-së, saqë që asnjë politikan i BE-së nuk guxon të as të përmendë fjalën “zgjerim”, dhe madje Komisioni i BE-së ka shtyrë raportin?”-pyeti ajo.

Mateo Bonomi, studiues në Institutin e Biznesit Internacional, mendon se BE-ja nuk zotëron instrumentet e duhura për transformimin e rajonit. Ai gjithashtu beson se në rajon, nuk ka një statuskuo të qëndrueshme.

“Mungesa e përparimit në periudhën e kaluar, i ka përkeqësuar gjërat. Rajoni ka ndërkohë edhe probleme ekologjike dhe demografike, që do të kenë pasoja ekonomike dhe politike. Pra, sa më pak i rëndësishëm, i populluar, i kënaqur të jetë Ballkani, aq më spektakolar do të jetë dështimi i BE-së në rajon- tha Bonomi. Ai tha se shpreson që Brukseli të hapë sa më parë negociatat e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment