“Christchurch Call”, Makron dhe Ardern shpallin masat kundër ekstremizmit në internet

Nga Alain Jocard “AFP”

Presidenti i Francës, Emanuel Makron, dhe kryeministrja e Zelandës së Re Xhakinda Ardern, shpallën të mërkurën në Paris nismën “Christchurch Call”, që synon frenimin e ekstremizmit në internet.

Kjo nismë, pati si nismëtare Ardern, pasi një person i armatosur, që e identifikoi veten si një supremacist i bardhë vrau 51 besimtarë myslimanë në dy xhami në 15 mars në qytetin e Kristçërç të Zelandës së Re, në sulmin më vdekjeprurës të kohëve të fundit në këtë vend.

Samiti, ku merrnin pjesë liderë botërorë, si dhe përfaqësues nga gjigandët e teknologjisë globale, u zhvillua në kohën kur ka një ndërgjegjësim gjithnjë e në rritje, se veprimtaria e media sociale duhet të disiplinohet më mire, për të parandaluar përdorimin e ekstremistëve si ai në Kristçërç, që e transmetoi drejtpsërsëdrejti masakrën në Facebook.

Masakra e Kristçërç “ishte realisht e pashembullt në përdorimin prej saj të mediave sociale, si një lloj arme gjatë sulmit, por edhe me përhapjen pasuese të mesazhit urrejtës të terroristit”- tha Ardern.

Nisma “Christchurch Call”, bën bashkë kompanitë e teknologjisë dhe kombet, në një mënyrë që nuk ka ndodhur kurrë më parë, tha më tej Ardern, duke përfshirë ndryshimet që Facebook i ka bërë tashmë rregullave të saj për transmetimet e drejtpërdrejtë të përdoruesves.

Ajo e quajti takimin e djeshëm si një “hap të parë, për të ndaluar që mediat sociale të keqpërdoren si një mjet nga terroristët, dhe për t’i ruajtur ato si mjete për të lidhur individët dhe komunitetet”. Ndërkohë gjatë fjalës së tij presidenti francez Makron, tha se angazhimet e marra në këtë samit “janë pjesë e shkëmbimeve të vazhdueshme të ideve, midis sektorit privat dhe krerëve të shtetit apo qeverisë”.

Apeli i Francës për zhdukjen e përmbajtjes terroriste në internet, iu drejtua fillimisht evropianëve, vuri në dukje ai, duke thënë se fushëveprimi i këtyre përpjekjeve tani është zgjeruar për të përfshirë Zelandën e Re, Indonezinë dhe Kanadanë, si dhe elementë nga shoqëria civile.

“Ajo që ndodhi në Kristçërç nuk ishte vetëm një sulm terrorist. Ishte transformimi i internetit në një makinë të çmendur propagandistike, që favorizon ndarjen dhe luftën”-tha më tej Makron.

Ata që morën pjesë në këtë samit, u zotuan të zbatojnë masa të reja, që synojnë heqjen e përmbajtjes së dhunshme ose ekstremiste. “Shpërndarja e një përmbajtje të tillë në internet, ka ndikime negative për të drejtat e njeriut të viktimave, mbi sigurinë tonë kolektive, dhe tek njerëzit në mbarë botën”- u shprehën ata në një deklaratë të përbashkët.

Në veçanti Facebook, është ballafaquar me kritika që nga sulmi i Kristçërç, pasi pamjet e tmerrshme u hodhën në këtë platformë, dhe u shpërndanë miliona herë, pavarësisht përpjekjeve për t’i fshirë ato. Gjigandi i mediave sociale, që mori pjesë në hartimin e masave të reja, premtoi se do të kufizojë qasjen në transmetimet e drejtpërdrejta.

Këtë angazhim morën edhe Google, YouTube, Twitter, Wikipedia, Dailymotion dhe Microsoft. Kompanitë thanë se do të bashkëpunonin në gjetjen e mjeteve të reja, për të identifikuar dhe larguar sa më shpejt përmbajtjet ekstremiste. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara, njoftuan se nuk do t’i bashkohen kësaj nisme.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk janë aktualisht në pozitën për t’iu bashkuar kësaj nisme, ne vazhdojmë të mbështesim qëllimet e përgjithshme të pasqyruara në të. Ne do të vazhdojmë të angazhojmë qeveritë, industrinë dhe shoqërinë civile, për të luftuar përmbajtjen terroriste në internet”- u shpreh Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.

SHBA përmendi lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si arsyen kryesore se përse nuk mund t’i bashkohet kësaj nisme. “Ne inkurajojmë kompanitë e teknologjisë, që të zbatojnë kushtet e shërbimit dhe standardet e komunitetit, që ndalojnë përdorimin e platformave të tyre për qëllime terroriste. Ne vazhdojmë të jemi proaktivë në përpjekjet tona, për të luftuar përmbajtjen terroriste në internet, ndërsa po vazhdojmë të respektojmë lirinë e shprehjes dhe atë të medias”- thuhet në deklaratë.

Administrata Trump ka qenë më herët e përfshirë në përpjekjet për t’i dhënë fund përmbajtjes terroriste në internet, duke përfshirë miratimin në shtatorin e 2017-ës të Rekomandimeve për Parandalimin dhe Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit Online, fryt i 2 samiteve të mbajtura në Zyrih dhe Londër.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment