Ç’fshihet pas kërkesës së Greqisë ndaj Gjermanisë, për dëshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore?

Nga Alexis Papazoglou “New Republic”

Në muajin prill, parlamenti grek votoi për t’i kërkuar Gjermanisë dëmshpërblim mbi dëmet e shkaktuara nga ushtria e saj në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Kjo nuk është hera e pare, që Greqia e ka hedhur këtë ide, e cila u bë e njohur gjatë krizës financiare.

Që nga viti 2012 e tutje, kryeministrat grekë kanë ngritur komisione ekspertësh për të kërkuar kompensim nga Gjermania, si dhe për të llogaritur një shifër të përshtatshme (aktualisht, vlerësohet rreth 300 miliardë euro).

Është joshëse që në prag të zgjedhjeve evropiane, vendore dhe kombëtare, ta cilësosh këtë lëvizje të kryeministrit Aleksis Cipras, thjesht si një marifet politik oportunist. Por kjo do të shfokusonte vëmendjen nga një çështje edhe më e madhe, nga një tension që ka të bëjë më shumë me historinë e kohëve të fundit, dhe që duke mbetur ende i pazgjidhur, mund të kërcënojë stabilitetin e Bashkimit Europian.

Zemërimi i Greqisë mbi mënyrën e trajtimit të saj gjatë krizës financiare, nuk është zhdukur. Gjermania ishte forca lëvizëse pas masave shtrënguese të rrepta të vendosura ndaj Athinës, si një kusht për programet financiare të shpëtimit të Bashkimit Evropian.

Këto masa të ashpra, ndezën ndjenjat anti-gjermane në Greqi, vend që ka vuajtur sumë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protestat në Athinë në vitet 2011-2012, kishin shpesh referenca ndaj të kaluarës naziste të Gjermanisë, duke e krahasuar Merkelin me Hitlerin.

Debati i dëmshpërblimeve, që u rishfaq në ato vite, ofroi shpresë për një vend që kishte nevojë për një mrekulli ekonomike:Zbulimi i papritur i parave që i kishte borxh huadhënësja e saj e rreptë, do të ishte mënyra e përsosur. Por gërmimi i së kaluarës së përgjakshme të Evropës, nuk është mënyra e gjetjes së zgjidhjeve për problemet aktuale.

Për me tëpër ajo shmang pyetjen e vështirë:Cila është trashëgimia më e vjetër e Gjermanisë, si forca lëvizëse pas BE? Gjatë zgjedhjeve të vitit 2014, Aleksis Cipras dhe partia e tij e majtë Syriza, i shndërruan dëmshpërblimet gjermane të luftës, në një premtim të madh të fushatës.

Dhe kur Cipras e takoi Merkelin në vitin 2015 si kryeministër , ai e përmendi këtë çështje:”Nuk është më shumë një çështje materiale, por morale”- tha ai. Më herët gjatë atij muaji, ai kishte mbajtur një fjalim në parlamentin grek, duke përmendur një për një vendet ku forcat gjermane ekzekutuan dhe torturuan grekët gjatë luftës.

Ai e hodhi poshtë tezën se çështja e dëmshpërblimit të detyruar, ishte mbyllur me marrëveshjen dypalëshe të vitit 1960, midis Gjermanisë Perëndimore dhe Greqisë, duke pretenduar se 115 milionë dojçmarkat i ishin paguar Greqisë vetëm për viktimat e luftës, por jo për dëmin e shkaktuar infrastrukturës së vendit.

Qëndrimi i Berlinit, vazhdon të jetë se çështja është e mbyllur si politikisht, ashtu edhe ligjërisht. Pastaj, ashtu si tani, Cipras është përpjekur të ndajë kushtet e ashpra të shpëtimit financiar të vendosura nga Gjermania, nga diskutimi i dëmshpërblimeve të luftës.

Në fakt, ka rrezik që diskutimi i kësaj çështje, të lërë mënjanë probleme më akute që kanë nevojë të adresohen. Pretendimet e Cipras për gjendjen aktuale të vendit, nuk janë tërësisht të vërteta:Greqisë i duhet ende kohë që të rimarrë veten nga kriza.

Ajo po përjeton një rimëkëmbje të ngadaltë dhe papunësi të lartë të vazhdueshme, pa asnjë rrugë të qartë se si të rikthehet tek prosperiteti që gëzonte gjatë dekadës së parë të këtij shekulli. Dhe gjendja aktuale, ka shumë më tepër të bëjë me ndikimin që Gjermania ka pasur brenda BE-së, sesa me pushtimin nazist gjatë viteve 1940.

Gjermania, si fuqia kryesore financiare e BE, ishte aktorja kryesore pas formulës së paketës së shpëtimit, të vendosur ndaj Greqisë në periudhën 2010-2015. Formula përfshiu reduktimin e buxhetit, reforma të shpejta jorealiste, dhe një huamarrje të mëtejshme, sesa një qasje më të butë të përqendruar në lehtësimin e borxheve, të cilën e favorizonte edhe FMN deri në vitin 2015.

Gjykuar nga sondazhet, Gjermania gëzon një reputacion përgjithësisht të favorshëm në Evropën Veriore. Por sipas një sondazhi të vitit 2017, 43 përqind e popullsisë në Greqi, ka një pikëpamje shumë negative mbi Gjermaninë.

Vendet e Evropës Jugore, kanë shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimet rreth fuqisë jo-proporcionale të vendimmarrjes së Gjermanisë brenda BE. Italia, Spanja, por edhe Franca, ishin kundër politikës së shtrënguar fiskale të Berlinit.

Ndikimi i Gjermanisë mbi BE-në, ka qenë i qartë jo vetëm në trajtimin e krizës greke të borxheve, por edhe në një tjetër sfidë të madhe për Evropën gjatë viteve të fundit:të ashtuquajturën krizë të emigrantëve.

Politikat e emigracionit të BE-së patën prirje të preknin më shumë vendet e Evropës Jugore dhe veçanërisht ato të Mesdheut si Greqia, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë, pavarësisht se Brukseli deklaron se kriza ka mbaruar. Rreth 15.000 refugjatë mbeten ende të bllokuar në ishujt grekë, duke jetuar në kushte mjerueshme dhe të rrezikshme në kampe.

Listimi i krimeve të nazistëve, i maskon ankthet e sotme të Greqisë, por edhe vendeve të tjera rreth ndikimit aktual gjerman, duke e bërë gati të pamundur një bisedë shumë të nevojshme më produktive. Pa këtë debat më të hapur rreth strukturave të fuqisë së BE-së, pakënaqësia nacionaliste ka shumë të ngjarë që të përkeqësohet, dhe të shprehet si reagim i krahut të djathtë, apo në veprime më ekstreme si Brexit.

Gjermania ka bërë shumë, për të kapërcyer të kaluarën e saj naziste. Ajo që duhet të bëjë tani BE, është të mbajë përgjegjësi mbi mënyrën se si e ushtron tani pushtetin e saj në Evropë.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment