Çfarë po ndodh në marrëdhëniet Turqi-SHBA?

Nga Burhanettin Duran “Daily Sabah”

Zhvillimet e reja, kanë shtuar tensionet midis Uashingtonit dhe Ankarasë. Megjithë premtimet e presidentit amerikan Donald Trump ndaj homologut turk Rexhep Taip Erdogan në një bisedë telefonike mes tyre, asnjë problem nuk është zgjidhur ende.

Përkundrazi, establishmenti amerikan i politikës së jashtme dhe Kongresi, vazhdojnë të minojnë marrëdhëniet dypalëshe. Në kuadrin e deklaratave të forta, mbi planin e Turqisë për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400, në Senatin e SHBA-së janë miratuar deri tani 3 rezoluta anti-turke.

Një rezolutë që bën thirrje për sanksione, për shkak të qytetarëve amerikane aë ndodhen në burgjet turke, një rezolutë që bën thirrje për njohjen e ngjarjeve të vitit 1915 si “gjenocid”, dhe një rezolutë që i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të bashkëpunojnë me Greqinë, Qipron Jugore dhe Izraelin në Mesdheun Lindor (kundër interesave turke).

Rezoluta e tretë është mjaft e spikatur. Ajo bën thirrje jo vetëm që t’i jepet fund embargos së vjetër të Uashingtonit kundër armatimit të Qipros Jugore, por gjithashtu i kërkon Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të forcojnë bashkëpunimin e saj ushtarak me Greqinë dhe Qipron Jugore.

Ajo vazhdon të paralajmërojë Turqinë, të mos ndërhyjë në kërkimet që janë vazhdim për rezervat energjitike në zonë. Në këtë mënyrë rezoluta, paraqet një politikë alternative dhe ndërhyrëse në Mesdheun Lindor.

Në vend se të bashkëpunojë me Turqinë, për të kontrolluar ndikimin e Rusisë në Mesdheun Lindor, ajo bën thirrje për një partneritet më të ngushtë me Greqinë, Izraelin, Egjiptin dhe Qipron. Sponsorët e kësaj rezolute, duket se e kanë harruar faktin se ishin Shtetet e Bashkuara ato që e ndihmuan Moskën të forconte ndikimin e saj mbi Lindjen e Mesme, duke i lejuar rusët të ndërhynin në luftën civile siriane.

Në vend të kësaj, ato po angazhohen tashmë për të krijuar një rend të ri anti-turk në rajon. Si për të përkeqësuar më tej situatën mes dy vendeve, Departamenti i Shtetit, i këshilloi sërish qytetarët amerikanë të kenë kujdes kur udhëtojnë drejt Turqisë, pasi mund të rrëmbehen.

Gjendja aktuale e raportit midis 2 vendeve, nuk mund të shpjegohet thjesht duke thënë se në marrëdhëniet Turqi-SHBA, kanë pasur ulje-ngritjet e veta. Ne nuk jemi pranë krizave të Qipros të vitit 1963 dhe 1974, apo arrestimit në vitin 2003 në Irak të zyrtarëve turq të inteligjencës.

Tensionet aktuale, janë të pashembullta. Partneriteti 70-vjeçar i Turqisë me Shtetet e Bashkuara, është zbehur vazhdimisht që nga viti 2013. Të gjitha përpjekjet diplomatike të Turqisë, janë përballur me ndjenjat anti-turke në Uashington. Dhe angazhimi me jugun e Qipros, nuk ka të bëjë me keqmenaxhimin e tensioneve.

Nga perspektiva turke, mosgatishmëria e Uashingtonit për të pranuar që Turqia, ashtu si Amerika, të përditësojë prioritetet e saj strategjike, qëndron në zemër të problemit. Amerikanët kërkojnë të ruajnë natyrën asimetrike të marrëdhënieve, duke rritur vazhdimisht presionin ndaj Turqisë.

Për më tepër, Interesat taktike afatshkurtra të Uashingtonit, janë në kundërshtim me interesat strategjikë afatgjata të Turqisë, dhe SHBA-ja nuk është e interesuar për mirëqenien e aleatëve të saj. Përkundrazi, amerikanët këmbëngulin se ata kanë çdo herë të drejtë, sa here që ka një mosmarrëveshje midis tyre dhe turqve.

Kjo pikëpamje krijon një politikë të paqartë, që bën me faj Turqinë për të gjitha tensionet dypalëshe. Ndërkoheë, janë përfundimet e rreme, ato që e helmojnë marrëdhënien dypalëshe. Ja cilat janë disa nga gjërat që politikëbërësit amerikanë, i gjykojnë në mënyrë të gabuar:

Që armatimi i YPG, dega siriane e organizatës terroriste PKK, nuk do të dëmtonte interesat turke.

Që lufta e Turqisë kundër YPG, do të minonte luftën e SHBA kundër ISIS.

Që nuk ka dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e Fetullah Gylenit në përpjekjen për grushtin e shtetit të vitin 2016, ndaj Gyleni nuk mund të ekstradohet në Turqi.

Që punonjësit e SHBA-së, të cilët Turqia i arrestoi lidhur me përfshirjen e tyre të dyshuar në përpjekjen e grushtit të shtetit, ishin të pafajshëm, dhe se trajtimi i tyre nuk ishte në përputhje me aleancën turko-amerikane.

Që sanksionet e imponuara ndaj Turqisë, në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë turke, ishte reagimi i duhur.

Që sjellja ndaj autorëve të grushtit të shtetit, ishte dëshmi e largimit të Turqisë nga demokracia.

Që forcimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Rusisë, përbën një kërcënim për NATO-n.

Që lëvizja e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes anti-raketore S-400, ka minuar sigurinë kolektive të aleancës.

Që Turqisë t’i ndalohet blerja e avionëve luftarakë F-35, nëse nuk heq dorë nga marrëveshja me Moskën mbi sistemin anti-raketor.

Që Turqia të akuzohet për kthimin e saj kundër aleancës perëndimore, nëse reagon kundër kritikëve të saj.

Disa nga tensionet aktuale, lidhen me zgjedhjet e reja strategjike të Uashingtonit. Edhe pse Trump dëshiron të ruajë dialogun me homologun e tij turk, ai nuk ka aftësinë për të anashkaluar kundërshtimet që vijnë nga establishmenti dhe Kongresi.

Tek e fundit, Kongresi është nën ndikimin e lobistëve anti-turq. Rritja e ndikimit të Rusisë në rajon, së bashku me afrimin e Turqisë me Moskën, burojnë nga politika e jashtme e SHBA-së, nën administrat Obama dhe Trump. Në mënyrë të veçantë, këto administrata nuk arritën ta trajtojnë Turqinë si një aleate. Në vend të kësaj, ata morën të njëjtat masa si ndaj kundërshtarëve të tyre,

Siç është mbështetja e grupeve terroriste, dhe vendosja e sanksioneve ekonomike kundër Turqisë. Nëse SHBA-ja nuk e ndryshon politikën e saj të njëanshme dhe arrogante ndaj Turqisë, marrëdhënia dypalëshe mund të dalë jashtë kontrollit. Ajo që na duhet vërtet, është një qasje e re, që bazohet në interesat tona të përbashkëta strategjike.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment