Çfarë ndodhi mes Trump, dhe ambasadorit britanik në Uashington?

Nga Hunter DeRensis & Matthew Petti “National Interest”

Presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi pasditen e të hënës se Twitter se “nuk do të merret më” me ambasadorin britanik në Uashington Kim Daroh, që e cilësoi 2 vite më parë si “jofunksional” shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Ministri i Jashtëm britanik, Xheremi Hant reagoi duke thënë se komentet e Trump ishin të gabuara, dhe dëshmonin mungesë respekti ndaj Britanisë. Ai shtoi se nëse bëhet kryeministër i Britanisë, atëherë “ambasadori ynë në SHBA do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë”.

Me komentet e tij, Hant hyri në një debat të nxehtë, lidhur me delaratat e Daroh mbi presidentin amerikan. Përplasja me Trump, vjen në një moment të vështirë për Britaninë, që po përpiqet të realizojë një Brexit të suksesshëm, dhe në një periudhë kur monedha kombëtare stërlina është zhvlerësuar, dhe kur Partinë Konservatore e ka mbëthyer një krizë e lidershipit.

Ndoshta Boris Xhonson, kandidati kryesor për kryeministër, mund të rivendosë marrëdhëniet e veçanta me SHBA-në, dhe të arrijë të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Trump. Por tani për tani, marrëdhëniet duket se janë më të acaruara se kurrë më parë.

Daroh vuri në pikëpyetje aftësitë mendore të presidentit amerikan, në një kabllogram të fshehtë në qershorin 2017, drejtuar këshilltarit britanik të sigurisë kombëtare Mark Seduill. Aty Daroh e quan Trumpin “të ngathët dhe të paaftë”, duke paralajmëruar se administrata e Trump mund ta “përfundojë mandatin me turp”.

Duke e krahasuar presidentin me personazhin e Terminatorit të luajtur nga aktori Arnold Shvarceneger, ambasadori britanik shkruante se Trump mund të “dalë nga flakët, i mposhtur por i paprekur”, por paralajmëroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund të “bëjnë gjëra shumë të dëmshme ndaj sistemit botëror të tregtisë”, ose të angazhohet në ndonjë ndërhyrje ushtarake të keq-këshilluar.

Mesazhet i drejtoheshin disa zyrtarë britanikë, por ato u publikuan si pjesë rrjedhje informacioni nga e përditshmja britanike “The Daily Mail” më datën 6 korrik. “Korrespondenca private e diplomatëve britanikë, nuk shpreh domosdoshmërisht pikëpamjet e ministrave apo qeverisë. Por ne i paguajmë diplomatët që të jenë të sinqertë në mendimet e tyre”- tha në një deklaratë të sajën Ministria Jashtme e Britanisë së Madhe.

“Stafi ynë diplomatik në Uashington, ka marrëdhënie të forta me Shtëpinë e Bardhë, dhe pa dyshim që ato do t’i mbijetojnë edhe këtij momenti delikat”- vioi më tej deklarata. Por pse Londra konfirmoi mesazhet e Daroh, që ishin kritike ndaj Trumpit?

Ministria mund të përgjigjej, se nuk mundet të konfirmojë dhe as të mohojë vërtetësinë e raporteve të tilla, dhe se çdo ambasador i dërgon si rregull një varg mesazhesh vendit të tij. Në vend të kësaj qasje, britanikët nisën një përplasje publike me Trump.

Disa kanë spekulluar se rrjedhjet e informacionit, janë orkestruar nga një fraksion pro-Brexit, që kërkon të ndëshkojë Daroh, të cilin “The Daily Mail” e quan si “eurofil” në raportin e saj gazeresk. Fredi Grei, zëvendësdrejtor i “The Spectator”, thotë se rrjedhja ka ndodhur për shkak se vendi është gati të ketë një kryeministër të ri, dhe që me siguri do të jetë Boris Xhonson. Presidenti amerikan Trump deklaroi të dielën se ambasadori Daroh “nuk i

ka shërbyer mirë Britanisë së Madhe”. Ditën tjetër, ai publikoi një varg postimesh që kritikonin sërish ambasadorin britanik dhe qeverinë e kryeministres Tereza Mej. “Unë nuk e njoh ambasadorin, por ai nuk mendon mirë për SHBA-në. Ne nuk do të merremi më me të. Lajmi i mirë për Mbretërinë e Bashkuar, është se së shpejti do të ketë një kryeministër të ri”-u shpreh Trump.

Presidenti vazhdoi të martën me disa postime të tjera në Twitter:”Ambasadori i Britanisë së Madhe, është  një djalë shumë budalla. Ai duhet të flasë me vendin e tij dhe kryeministrin Maj, për negocimin e dështuar mbi Brexit, dhe të mos mërzitet me kritikat e mia. Unë i sugjerova Mejit se si mund të realizohej ajo marrëveshje, por ajo vazhdoi me kokën e vet, dhe në fund dështoi. Një fatkeqësi!”- shkroi Trump

Endrju Stjutford, redaktor në “National Riview”, thotë se këshillat e ambasadorit britanik kanë qenë konfidenciale, dhe cilido që ia ka dhënë mediave për t’i publikuar, nuk e ka ndihmuar Britaninë e Madhe. Ndërsa një “president normal, nëse ekziston një i tillë”, do të kishte qeshur me këtë çështje, Stjutford mendon se presidenti amerikan e ka tepruar me reagimet e tij. Postimet e tij të fundit në Tëitter, e kanë vënë qeverinë britanike në një pozitë të vështirë.

“Mbretëria e Bashkuar, ka një marrëdhënie të veçantë dhe të qëndrueshme me SHBA-në, bazuar në historinë tonë të gjatë, dhe angazhimin ndaj vlerave të përbashkëta, dhe po kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen”- thuhet në deklaratë.

“Unë jam i sigurtë se Daroh nuk do të ftohet në shumë darka në Shtëpinë e Bardhë gjatë muajve të ardhshëm, por nëse ‘marrëdhënia e veçantë’ është vërtetë e tillë, do të ketë kanale të tjera të pafundme komunikimi”- mendon Stjutford. Kur u pyet nëse administrata do të vazhdonte të punonte me Daroh, Departamenti i Shtetit, tha se komentet i takojnë Shtëpisë së Bardhë. Deri tani kjo e fundit, nuk i është përgjigjur pyetjeve tona.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment