Ç’do të ndodhë në Siri pas tërheqjes së SHBA-së?

Nga Seth J.Frantzman “Jerusalem Post”

Gjashtë javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara me 79 vende partnere dhe organizata, u mblodh të enjten në Uashington për të vlerësuar ecurinë e luftës kundër ISIS-it, dhe situatën në Sirinë lindore.

Në takimin që mbajti një ditë pas fjalimit të tij ‘Gjendja e Unionit’, Trump i vlerësoi partnerët e koalicionit dhe Forcat Demokratike të Sirisë, për çlirimin e “gati të gjithë territorit të kontrolluar më parë nga ISIS”.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Shteti Islamik thuajse është mposhtur, duke humbur 99.5 për qind të territorit të tij. Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo tha se një territor prej 110 mijë km2 u çlirua, dhe 7 milionë njerëz dolën nga kontrolli i ISIS-it, ku kishin qenë për 4 vjet e gjysmë.

Ai paraqiti para koalicionit stretegjinë që duhet ndjekur për të ecur më tej, duke thënë se SHBA-ja është e angazhuar për të ndidhmuar forcat e sigurisë të Irakut, dhe për të parandaluar kërcënimet e ISIS-it ndaj vendeve partnere.

Ai inkurajoi secilin nga 79 anëtarët e koalicionit, që t’i “vëmë paratë tona, pikërisht aty ku është goja jonë”. Kjo sipas tij duhet të përfshijë investimin në programet e “ndihmës së stabilizimit civil”, që parashikojnë bërjen funksionale të zonave të çliruara nga ISIS.

“Objektivi ynë përfundimtar, është të promovojmë drejtësinë për viktimat”- tha shefi i diplomacisë amerikane. Mes të pranishmëve në këtë takim  ishte Ministrja e Jashtme kanadez, Kristi Frilend, e cila postoi në rrjetet sociale një foto me të mbijetuarën nga gjenocidi ndaj komunitetit Jazid, Nadia Murad; dhe Mevlut Çavushoglu, ministri i Jashtëm i Turqisë, i cili tha se ishte i nevojshëm një koordinim më i mirë, për të parandaluar ringjalljen e ISIS.

”Duhen adresuar shkaqet themelore që krijuan ISIS-in, dhe shmangia e përsëritjes së gabimeve të kaluara”- theksoi ai. Ajo që u shmang nga fjalimi i tij, ishte vendimi i SHBA-së për t’u larguar nga Siria. SHBA, e cila theksoi nevojën për stabilizim, nuk paraqiti planet e saj për të ardhmen në Sirinë lindore, ose se si do të menaxhohej tërheqja e saj. Zyra e jashtme e Gjermanisë, vuri në dukje para takimit se ndërsa ISIS ishte “sprapsur” në Irak dhe në pjesë të mëdha të Sirisë, kërcënimi nuk “mund të quhet në asnjë mënyrë i shmangur”.

Turqia theksoi se vendimi i Trump për t’u tërhequr, i shpallur në dhjetor 2018, nuk ishte fundi i konfliktit. “Kemi të bëjmë me një fazë të re në një konflikt të vjetër”. Shtetet e bashkuara, nuk kanë bërë të ditur se si do të menaxhojnë apo koordinojnë tërheqjen e saj nga Siria.

Kjo ka nxitur thashethemet e vazhdueshme, se si mund të ndodhë ky proces. Raportet e muajit të kaluar, treguan se SHBA-ja mund të vazhdojë të qëndrojë në bazën e saj në El-Tanf në shkretëtirën lindore të Sirisë.

Turqia dhe SHBA-ja, kanë diskutuar mbi krijimin e një zone “tampon” ose “të sigurtë”, që mund të zgjatet deri në 30 km në brendësi të Sirisë. Turqia dëshiron që kjo zonë të jetë e lirë nga Njësitë të Mbrojtjes Popullore (YPG), grupimi kurd që pohon është pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), por edhe e SDF, partneres kryesore të koalicionit. Kjo ka ngjallur frikën e një konflikti të ri në Siri, sapo SHBA-ja të tërhiqet.

Bashkëkryetari i Këshillit Demokratik Sirian (SDC), Ilham Ahmad, ka qenë në Uashington për 2 javë duke zhvilluar diskutime me zyrtarët amerikanë, për të ngadalësuar tërheqjen e trupave amerikane, dhe për të vijuar mbështetjen ndaj SDF, për të cilën SDC është krahu i saj politik.

Ai u takua me grupimet e të gjithë spektrit politik, duke përfshirë edhe demokraten Tulsi Gabard, që do të garojë për President në vitin 2020. Sipas “Al-Monitor”, Gabard ka qenë kritike ndaj politikës amerikane në Siri, veçanërisht lidhur me regjimin e Asadit, duke pohuar se Asad nuk është një armik i SHBA-së.

Kjo krijon shumë pikëpyetje në lidhje me tërheqjen e SHBA-së. SDF druhet se një tërheqje e shpejtë, mund të çojë në një përshkallëzim të tensioneve me Turqinë, çka do t’i detyronte palët të kërkonin një marrëveshje në të cilën regjimi sirian të ketë mundësi të rikthehet në kufirin e Sirinë lindore, ose Rusia të ndërmjetësojë arritjen e një lloj marrëveshjeje.

Por ata preferojnë partnerët amerikanë, me të cilët kanë punuar për 4 vitepër të mposhtur ISIS-in. Pas më shumë se 10 mijë të vrarëve në luftë kundër ISIS, SDF dhe grupet e saj dëshirojnë paqe. Por SHBA-ja nuk është e qartë mbi atë që vjen më pas, sipas takimeve të mbajtura në Uashington me individë që janë në dijeni të diskutimeve aktuale.

Ndërkohë, SHBA nuk e ka bërë ende SDF pjesë të diskutimeve kryesore rreth tërheqjes, dhe takimi i koalicionit, nuk ofroi aspak qartësi mbi këtë lëvizje. Postimet në internet të koalicionit, përmendin rrallë zonat në Sirinë lindore, të cilat janë çliruar nga koalicioni.

Përkundrazi, ato i referohen projekteve në Alepo, Azaz, Suran në provincën e Hamas, dhe programet e OKB-së në zona të tjera të Sirisë. Ndërsa koalicioni tha në dhjetor 2018 se “në Irak dhe Siri kishin nisur shumë projekte stabilizimi“, dhe se përpjekjet humanitare do të vazhdojnë në vitin 2019, ajo nuk po i vë në qendër të vëmendjes këto përpjekje. Tërheqja në internet duket se ka filluar tashmë, edhe nëse tërheqja fizike në terren është në një rrugë pa krye.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment