BE të zbulojë çfarë ka ndodhur me mijëra të burgosur në Siri

Nga Mariam Al-Halak “Euobserver”

Jam Mariam Al-Halak. Dikur kisha 3 djem, tani kam vetëm 2. Ajo që ka ndodhur me djalin tim të vogël, Ajham, është arsyeja pse bashkëthemelova Shoqatën e Familjeve të Çezarit, dhe pse po i bëj thirrje të gjithë vendim-marrësve në Konferencën e III të Brukselit, që të ushtrojnë presion ndaj regjimit të Asadit, për të liruar të burgosurit në Siri.

Udhëheqësit botërorë, që do të takohen në Bruksel në datat 12-14 mars, duhet ta kenë si prioritet të agjendës së tyre, çështjen e dhjetëra mijëra të paraburgosurve. Ne kemi të drejtë të dimë, se çfarë ka ndodhur me të njerëzit tanë, dhe cili prej tyre është ende gjallë.

Djali im Ajham nuk është më gjallë, por nuk kam pasur mundësi ta varros. Unë s’kam mundur t’i them dot lamtumirë një të riu inteligjent dhe ambicioz. Kur nisi kryengritja siriane, ai po studionte për master në Stomatologji. Ashtu si shumë të rinj, edhe ai u bashkua protestave paqësore kundër regjimit të Asadit, për të cilat u arrestua fillimisht më 16 shkurt 2012. Tre muaj më vonë u rrikthye në shtëpi, por lumturia jonë për lirimin e tij zgjati shumë pak.

Më 5 nëntor 2012, zyrtarët e regjimit e arrestuan sërish Ajham në Universitetin e Damaskut, ku po përfundonte studimet e tij. Ata e torturuan në moment brenda dhomës së administratës së departamentit të mjekësisë, të cilën anëtarët e Unionit të Studentëve të Sirisë, e kishin kthyer në një qendër paraburgimi.

Për shkak të dhunës, Ajham ra në koma, dhe më pas ata e dërguan në degën 215 të zbulimit ushtarak në Damask. Rojet e burgut, refuzuan shërbimin mjekësor për të, dhe u thanë më pas shokëve të qelisë të Ajham, se ai kishte ndërruar jetë.

Tre muaj më vonë, një i paraburgosur që kishte qenë së bashku me Ajham më tha çfarë kishte ndodhur, dhe se im bir kishte vdekur 5 ditë pas arrestimit të tij. Të dëshpëruar, ne mbajtëm formalisht një rrit përkujtimor për Ajhamin tonë të dashur, kur na thanë 10 ditë më vonë, se ai ishte ende gjallë, dhe se ndodhej ende brenda degës 215 të inteligjencës ushtarake.

Për një vit e gjysmë kam shkuar përditë në gjykatën ushtarake në Damask, policinë ushtarake, degët e inteligjencës dhe Ministrinë e Brendshme, për të pyetur nëse djali im ishte ende gjallë apo kishte vdekur, duke u përpjekur dëshpërimisht të merrja ndonjë informacion rreth vendndodhjes së tij.

Pyeta pa rreshtur, deri kur policia ushtarake më dërgoi në Spitalin Ushtarak Tishreen, ku dhe përfunduan kërkimet e mia. Zyrtarët atje më dhanë një çertifikatë vdekjeje, duke thënë se Ajham kishte vdekur më 11 nëntor 2012, dhe duke konfirmuar datën që më ishte thënë fillimisht.

Por kalvari im nuk përfundoi aty. E si mundet të mbaronte, kur nuk kisha ndonjë trup për ta varrosur? Për 6 muaj të tjerë, ndoqa këmba-këmbës zyrtarët sirianë, duke iu përgjëruar të mësoja se ku ndodhej trupi i djalit tim. Në fund të kërkimit tim, m’u dha një dokument që thoshte se numri i çerfikatës së vdekjes së Ajhamit ishte 320. Pas marrjes së këtij dokumenti, dëshmisë se regjimi e kishte vrarë djalin tim, m’u ndalua hyrja në gjykatën ushtarake.

Në mesin e vitit 2014, u largova nga Siria, për të nisur një jetë të re. Asokohe nisën të publikohen në media fotot e të burgosurve që kishin vdekur nën tortura. Unë kisha tentuar dhjetëra herë të kërkoj nëpër atë arkiv fotosh fytyrën e Ajhamit, por nuk mundja të duroja gjatë, duke parë të gjithë ata trupa të vdekur dhe të gjymtuar.

Unë nuk e kisha parë djalin tim, por dikush tjetër, një i mbijetuar nga paraburgimi që kishte qenë bashkë me Ajhamin në një qeli, e gjeti foton e tij. Ai më tregoi foton, dhe unë e pashë se ishte e tija.

“Fotot e Çezarit”, të 11.000 të burgosurve të vrarë, janë dëshmitë më të rëndësishme të torturave dhe ekzekutimeve çnjerëzore të regjimit, në qendrat e tij të ndalimit. Ato foto përfshijnë periudhën midis marsit 2011 dhe gushtit 2013, në dy qendra paraburgimi të degëve të inteligjencës ushtarake.

Por imagjinoni një moment atë që nuk e dimë, imagjinoni shkallën e vërtetë të këtij tmerri në të 27 degët e inteligjencës dhe burgjet e fshehta të Sirisë. Ne presim që vendet e përfaqësuara në konferencën e Brukselit dhe aktorët e huaj të pranishëm në Siri, duke përfshirë Rusinë, Iranin dhe Hezbollahun, të mos përpiqen të formësojnë vendin tonë sipas agjendave të tyre.

Dhe ndërsa në parlamentet evropiane ka nisur të murrmuritet mbi rindërtimin e Sirisë, ne kemi nevojë për një angazhim nga ligjvënësit evropianë, se çdo fond i tyre do të shkojë për organizatat ndërkombëtare dhe humanitare, dhe jo për regjimin kriminal të Damaskut, që duhet të dalë para gjykatave, dhe të mos i jepet si ndihmë asnjë euro.

Çdo rindërtim i vendit tani, do të ishte mbi varrezat masive dhe qendrat e paraburgimit që ndodhen në mbarë Damaskun. Ju mund të ecni sot rrugëve të Damaskut, dhe nën këmbët tuaja mund të ketë të burgosur që mbahen ende në qendrat nëntokësore të paraburgimit.

Ndonjëherë është e vështirë të lësh mënjanë zemërimin dhe dëshpërimin që të kaplon. Por kur shohim shembujt e tjerë të padrejtësisë në mbarë botën, dhe se sa kohë është dashur që të vihet në vend drejtësia për viktimat, ne nuk pranojmë të heqim dorë nga shpresa. Ne jemi familjet e sirianëve të zhdukur, torturuar dhe vrarë, ndaj kërkojmë drejtësi.

Shënim:Mariam Al-Halak, jeton sot në Gjermani si refugjate, dhe është bashkëthemeluese e Shoqatës së Familjeve të Çezarit (AQF).

 Përktheu:Alket Goce

Submit a comment