BE-ja s’duhet të lërë pas dore Ballkanin, përndryshe aty do ketë kaos

Nga Tony Barber “Financial Times”

Në fillim të luftërave jugosllave në vitin 1991, Zhak Pos, aso kohe ministri i jashtëm i Luksemburgut, vlerësoi përpjekjet paqeruajtëse të BE-së si një shenjë, se “ka filluar ora e Evropës”. Deklarata e tij, i referohej një lloj errësire ​​të tmerrshme që po zbriste në Evropën juglindore.

Kufizimet e fuqisë së butë të BE-së, nuk u ekspozuan kurrë më brutalisht se sa gjatë mizorive që u shpalosën në Kroaci dhe Bosnjë, derisa ato u ndërprenë nga aleanca e NATO-s, dhe diplomacia e udhëhequr nga SHBA.

Tani Bashkimi Evropian, është në prag të një gabimi tjetër historik në Ballkan. Qeveritë evropiane, do të vendosin në një samit në muajin qershor, nëse do të fillojnë apo jo bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Që të hyjë në fuqi, vendimi duhet të jetë unanim. Por për ta mbrojtur veten nga kundërshtarët e brendshëm, disa qeveri të udhëhequr nga Franca dhe Hollanda, hezitojnë të angazhohen, në atë që duhet të jetë faza e ardhshme e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Francezët duan që BE-ja të përqëndrohet në reformimin e vet, në forcimin e eurozonës, dhe në shmangien e lëvizjeve që mund të rritin mbështetjen për nacionalistët e djathtë të Evropës, dhe populistët anti-establishment. Megjithatë, në qoftë se triumfojnë hezituesit e zgjerimit, ata do të rrezikojnë të nxisin pikërisht tensionet që BE-ja thotë se dëshiron të shmangë në Ballkan.

Ky argument vlen veçanërisht për Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev, dhe kolegët e tij kanë hedhur poshtë ultranacionalizmin e paraardhësve të tyre. Ata shfaqën një guxim të madh, në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin e vendit të tyre, që kishte marrëdhënie të ashpra me Greqinë fqinje që nga fillimi i viteve 1990.

Për Ballkanin, i njohur për keq që nga epoka para Luftës së Parë Botërore për mosmarrëveshjet e pazgjidhura etnike, fetare dhe territoriale, ky është një shembull shumë i rrallë i një kompromisi të arsyeshëm, që arrihet në një mënyrë paqësore.

Në këto kushte, njerëzit në Maqedoninë e Veriut, mund të pyesin veten nëse BE-ja do t’ja hapë dyert e veta, dhe nëse diplomacia e guximshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit, do të shpërblehet me fillimin e bisedimeve të pranimit.

Një vonesë, do të zbehte kauzën e reformës në Maqedoninë e Veriut, duke dëmtuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kjo do të ushqente shovinizmin sllavo maqedonas. Për më tepër, do të zhgënjente shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.

Nuk kanë kaluar as 20 vjet, që kur një shpërtheu kryengritje shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që nxiti ndërhyrjen e shpejtë të NATO-s. Një arsye për qetësinë e mëvonshme relative, është se udhëheqësit shqiptarëve u kanë thënë qytetarëve shqiptarë të kenë besimin tek BE, anëtarësimin tek e cila ata e përshkruajnë si një garanci për të drejtat qytetare, dhe një premtim për prosperitet.

Nëse dera e BE-së mbetet e mbyllur, këta të moderuar rrezikojnë të diskreditohen. Por do të jetë gjithashtu e rrezikshme, po qe se siç parashikojnë disa në rajon, BE hap bisedimet e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, ndërsa e lë Shqipërinë në dhomën e pritjes.

Një veprim i tillë, do t’i hidhte benzinë “flakëve” të nacionalizmit pan-shqiptar, duke joshur politikanët dhe aktivistët në Shqipëri dhe Kosovë, që të braktisin shpresat e tyre për hyrjen në BE, për të përqafuar kauzën e një Shqipërie të Madhe, shumë më qartë sesa ndodh hera-herës edhe sot.

Nga ana tjetër, kjo do të sabotonte përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, dhe për të lehtësuar tensionet midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje Hercegovinë.

Nëse rritet destabiliteti rajonal, për shkak të sjelljeve ngurruese të BE-së, kjo do të sigurojë një terren pjellor për ndërhyrjen e huaj. Ballkani është një arenë e një konkurrence midis fuqive të jashtme, duke tërhequr që nga luftërat Jugosllave Rusinë, Turqinë dhe Kinën në një cep të Evropës, që është kryesisht nën ndikimin e BE-së dhe SHBA-së.

Agjentët rusë, tentuan një grushti shteti në vitin 2016 në Malin e Zi, teksa ndërhynë me Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, për të sabotuar marrëveshjen mbi emrin. Kina po e zgjeron ndikimin e saj, me anë të investimeve të mëdha në kuadrin e Nismës së Brezit dhe Rrugës.

Për të frenuar ambiciet ruse dhe kineze, Uashingtoni është i etur të punojë me BE-në në mbrojtjen e interesave të Perëndimit. Brukseli duhet të urojë që Ballkani, është një nga rajonet e pakta në botë, që nuk është prekur nga fërkimet SHBA-BE në politikën e jashtme nën administratën Trump.

BE dhe SHBA, u koordinuan mirë për të kontribuar në zgjidhjen e krizës Shkup-Athinë. Kritikët e zgjerimit të unionit, kanë të drejtë kur thonë se cilësia e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e Balkanit, është nën standardet e BE-së.

Por besimi i rajonit ndaj BE-së, dhe entuziazmi i popullit të tij për reformat e vështira që kërkohen për të fituar anëtarësimin, do të zhduken nëse takimi i muajit të ardhshëm, nuk do dërgojë ndonjë sinjal pozitiv. Çdo gjë më pak, do të përhapte kaos në të gjithë Ballkanin, dhe do të dëmtonte BE-në, që do të ishte sërish fajtore pse qëlloi në këmbë veten e vet.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment