BE-Britani, ndryshon marrëveshja Brexit, por në Londër janë sërish të pakënaqur

Nga Daniel Boffey “The Guardian”

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Tereza Mej, u ka bërë thirrje deputetëve që të “bëhen bashkë”për të mbështetur marrëveshjen e saj, teka ajo pretendon se siguroi të hënën në Bruksel ndryshimet ligjërisht të detyrueshme që dëshironte parlamenti britanik, në mënyrë që BE-ja të mos i shkaktojë probleme Londrës me vendosjen e kontrolleve të rrepta kufitare në kufi me Irlandën.

Por brenda disa minutave nga mbajtja e një konference të përbashkët në shtyp në Strasburg mes zonjës Mej dhe presidentit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, vetë ky i fundit pranoi se BE-ja nuk kishte rënë dakord me kërkesën qendrore të kryeministres britanike.

Junker u tha gazetarëve, se është rënë dakord mbi një shtesë ligjore të negociuar në lidhje me marrëveshjen e Brexit, duke theksuar natyrën e përkohshme të kontrolleve në kufirin irlandez, dhe që sipas tij “plotëson marrëveshjen e tërheqjes nga unionit, por pa e rihapur këtë çështje”.

Ai shtoi se teksti i ri i marrëveshjes, ishte në “frymë dhe gërmë” në përputhje me angazhimin e Bashkimit Evropian për një politikë sigurimi, që garanton që asnjëra palë të mos tërhiqet në mënyrë të njëanshme.

Pas humbjes historike të zonjës Mej në janar, kur parlamenti ia rrëzoi me 230 vota kundër marrëveshjen e arritur prej saj, kryeministrja u premtoi deputetëve se do të siguronte një mekanizëm të njëanshëm të daljes, një afat kohor ose zëvendësimin e tij me një marrëveshje alternative.

Paketa e zbuluar të hënë në mbrëmje nga 2 udhëheqësit, përfshin 3 pjesë, që Junker tha se siguronin “garanci ligjore kuptimplota”. Një instrument i përbashkët interpretues, i shtuar në marrëveshjen e daljes, përsërit në draft se BE-ja nuk mund të synojë të kapë Britaninë në shkelje, si një pretekst për të mos negociuar një marrëveshje të re tregtare.

Një deklaratë shtesë e përbashkët në deklaratën politike mbi marrëveshjen e tregtisë së ardhshme, i angazhon të dyja palët që të punojnë në zhvillimin e teknologjive të reja në pikat kufitare, për të qenë gati për t’u futur në përdorim brenda dhjetorit 2020.

Pjesa përfundimtare – një deklaratë e njëanshme nga Mbretëria e Bashkuar – argumenton se asgjë nuk mund të ndalë Britaninë të kërkojë “zbutjen” e kundërshtimit, nëse BE nuk vepron në mirëbesim, dhe në rastin kur nuk ka negociata për një alternativë.

Ndërkohë, edhe këto zhvillime u pritën me mosbesim në Londër nga konservatorët dhe laburistët. “Marrëveshja e kësaj mbrëmjeje me Komisionin Evropian, nuk përmban asgjë që i afrohet ndryshimeve, që na premtoi  më herët Tereza Mej”- tha lideri laburist Xheremi Korbin.

Ndërkohë sekretari në hije i Brexit në rradhët e laburistëve, Keir Starmer, dyshon nëse ndryshimet do të jenë ligjërisht të detyrueshme, duke thënë:”Duket që sërish nuk ka ndryshuar asgjë”.

Për të siguruar mbështetjen për marrëveshjen e saj, kryeministres Mej do t’i duhet të fitojë mbi dhjetëra euroskeptikë të vijës së ashpër në rradhët e konservatorëve dhe Partinë së Unionit Demokratik të Irlandës së Veriut, refuzimi i të cilës për të mbështetur marrëveshjen fillestare, çoi në humbjen e rëndë me më shumë se 230 vota kundër në janar.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment