Basti i rrezikshëm i Trump me Iranin, dhe roli jetik që mund të luajë Turqia

Nga Nagehan Alçi “Daily Sabah”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është i njohur për kundërshtimin e çdo gjëje që është politikisht korrekte. Vetëm kohët e fundit, ai deklaroi hapur se dëshiron që të dështojë Teherani, dhe jo Irani si komb.

Për njëfarë kohe, ai është përpjekur të ushtrojë sa më shumë presion mbi Iranin, për të detyruar atë të sillet sipas interesave amerikane. Në këtë kuadër, ai vendosi sanksione të reja, kërcënoi me sulme ushtarake, dhe artikuloi akuza të ndryshme.

Por a mund ta ketë sukses? Apo do të heqë dorë nga Irani, që në fakt i ka rezistuar për dekada të tëra presionit të SHBA-së? Më 8 maj 2018, Presidenti Trump u tërhoq nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), i negociuar nga ish-presidenti Barak Obama.

Ai e quajti marrëveshjen mbi programin bërthamor “të njëanshëm”, dhe “të tmerrshme”. Pastaj filloi një fushatë ekstreme presioni. Të gjitha sanksionet e mëparshme u riaktivizuan, dhe ato synonin të ushtronin sa më shumë presion mbi Teheranin që të ishte e mundur, për të ndalur projektin e raketave bërthamore, dhe për t’u rikthyer në tryezën e negociatave.

Tani, po shohim përdorimin e një toni më të ashpër thuajse çdo ditë. Për shembull, javën e kaluar administrata Trump shpalli planet për të dërguar në Lindjen e Mesme anijet luftarake dhe avionët bombardues. Pas njoftimit të sanksioneve mbi eksportet e naftës, sektorit të energjisë, operatorëve portualë, të transportit dhe institucioneve financiare që kryejnë transaksione me Bankën Qendrore të Iranit, Trump lajmëroi disa sanksione të reja mbi sektorin metalurgjik iranian.

Ai gjithashtu përmendi më shumë se 900 individë dhe institucione, duke përfshirë 50 banka iraniane, 200 anije të transportit, si dhe linjën ajrore kombëtare të Iranit. Këto sanksione shumë të forta, bënë që shumë se 100 kompani të huaja të mbyllin marrëveshjen e biznesit me Iranin.

Blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane, si India dhe Japonia, thanë se do të ndalojnë importimin e naftës nga ky vend. Natyrisht, këto ngjarje kanë një efekt negativ në ekonominë e vendit, gjë që ka frymëzuar protesta të mëdha. Monedha vendase, humbi 60 për qind të vlerës së saj ndaj dollarit amerikan dhe inflacioni ka mbërritur në kulm. Eksportet iraniane të naftës, kanë rënë nga 2.5 milion fuçi në 1 milion këtë vit, dhe pritet të bien akoma më tej.

Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre zhvillimeve, presidenti iranian Hasan Rouhani tha se megjithëse Irani premtoi të vazhdojë të respektojë marrëveshjen bërthamore, ai do të fillojë të mos zbatojë më disa nga angazhimet e veta në raport me atë pakt, dhe do të rifillojë pasurimin e uraniumit të nivelit të lartë brenda 60 ditësh, në rast se palët e mbetura të marrëveshjes nuk e mbrojnë industrinë e naftës dhe atë bankare të Iranit nga sanksionet amerikane.

Zyrtarët iranianë, vazhdojnë ta refuzojnë ftesën e Trumpit për bisedime. Ekonomia iraniane ndodhet në një pozitë shumë të vështirë, gjë që mund ta nxitë administratën Trump të mendojë se është në rrugën e duhur, por sërish nuk ka asnjë shenjë tërheqjeje nga programi bërthamor.

Përveç kësaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, tha në një raport të tijin se nuk ekziston ndonjë lidhje midis mirëqenies ekonomike të Iranit dhe politikave të tij rajonale. Mund të ketë protesta, por qeveria Rouhani nuk duket se ndihet shumë e kërcënuar prej tyre.

Përkundrazi, presioni në rritje i SHBA-së ka frymëzuar një valë të re rezistence në mesin e nacionalistëve të rinj iranianë, çka mund të çojnë në një kërcënim më të madh në një periudhë afatgjatë. Problemi kryesor, është mungesa e dialogut dhe metodave gjithëpërfshirëse.

Sa më agresive bëhen politikat aktuale të SHBA-së në rajon, aq më shumë radikalizohet Lindja e Mesme. Në këtë kuadër, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është aktori më i rëndësishëm në rajon. Turqia ka një politikë të jashtme shumëpolare, dhe mund të bisedojë me çdo palë.

Përveç kësaj, të qenit një udhëheqës i rëndësishëm mysliman, i jep Erdoganit një ndikim të jashtëzakonshëm mbi popujt e Lindjes së Mesme. SHBA-ja dhe Irani duhet ta kenë parasysh këtë. Trump nuk mund të vazhdojë me politikat e tij agresive për ta detyruar Iranin të ulet në tryezë, dhe Irani nuk mund të rezistojë gjatë i izoluar. Të dyja palët kanë nevojë për Ankaranë, dhe politikat e saj të orientuara drejt dialogut.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment