Ballkani:Mos harroni “fuçinë e barutit” në këmbët e Evropës

Nga Tim Marshall “City AM”

Kur kanë kaluar 2 dekada, që nga hyrja në Kosovë e 50.000 trupave të NATO-s, rajoni në pragun lindor të Bashkimit Evropian, mbetet potencialisht i rrezikuar nga trazirat. Janë mbushur gjithashtu po 20 vjet, që nga fundi i fushatës bombarduese 78-ditore, që e detyroi ushtrinë serbe të largohet nga krahina, teksa NATO u pozicionua në krah të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, mori dje pjesë në festimet e rastit në Prishtinë, kryeqyteti i shtetit më të ri në Evropë, që njihet nga më shumë se 100 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Në Kosovë dhe Serbi, ka shumë gjëra për t’u festuar, më së pari për dhënien fund të vrasjeve masive dhe lindjes së demokracisë.

Gjithsesi, tensionet e vazhdueshme ndërmjet dy fqinjëve, nënkuptojnë se situata nuk është kurrë më shumë se sa një “incident” larg përshkallëzimit. Kjo është arsyeja se pëse 3.500 trupa të aleancës, mbeten ende në Kosovë, dhe pse disa anëtarë të NATO-s, përfshirë SHBA-në, po mendojnë të tërhiqen.

Vëmendja perëndimore ndaj rajonit, është duke u zbehur, dhe kjo është diçka e gabuar. Kur Evropa heq shikimin e saj nga Ballkani, gjërat shkojnë rrallë më mirë. Serbia dhe Kosova, mbeten armiqësore ndaj njëra-tjetrës, deri në masën që shpallja e planeve për krijimin e ushtrisë së Kosovës në vitin 2018, solli kërcënimin me luftë nga Beogradi.

Disa herë gjatë 2 viteve të fundit, ushtria serbe është vënë në gatishmëri të plotë, dhe madje ka lëvizur drejt kufirit forcat e saj elitë. Por situata mund të kishte qenë ndryshe. Humbja e Kosovës, shkaktoi një revolucion në Serbi vitin që pasoi, që rrëzoi nga pushteti presidentin Sllobodan Millosheviç. Në krye të vendit erdhi liberali Zoran Gjinxhiç, që e kishte quajtur BE-në si “ajrin e freskët të Serbisë”.

Ai premtoi bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, dhe u betua të çrrënjosë krimin e organizuar nga qeveria dhe biznesi i madh. Kjo shkaktoi hakmarrje ndaj tij. Në marsin e vitit 2003, Gjingjiç u qëllua për vdekje nga një snajper në Beograd.

Një plumb e goditi në shpinë, përshkoi zemrën e tij, dhe goditi një nga truprojat. Ai ishte 51 vjeç, dhe la pas gruan, dy djemtë e vegjël, dhe një komb të përçarë. Bota nuk i kushtoi shumë rëndësi lajmit. Vetëm 8 ditë më pas fillonte pushtimi i Irakut. Pra pas luftës në Afganistan, do të niste një tjetër dilte. Pas kësaj do të ishte kriza financiare e vitit 2008, kryengritjet Arabe dhe luftërat civile, dhe pastaj aneksimi i Krimesë nga Rusia.

Ndërkohë në Serbi, u rikthye korrupsioni masiv, demokratizimi u ngadalësua, dhe lulëzuan bandat që merren me trafik armësh, droge dhe emigracion ilegal drejt Europës Perëndimore. Sot, ish-ultra-nacionalisti, Aleksandër Vuçiç, është presidenti i vendit, duke mbajtur me shpresë nacionalistëve serbë, që duan ende të mbajnë të “ngrirë” çështjen e Kosovës, me shpresën se BE-ja një ditë të shpërbëhet, NATO po ashtu, dhe Rusia do t’u vijë në ndihmë për të rindërtuar ëndrrën e shkatërruar të “Serbisë së Madhe”.

Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë, e megjithatë ata vazhdojnë të ëndërrojnë. Dhe ëndrrat u nxitën edhe nga presidenti rus Vladimir Putin. Në janar, ai zhvilloi në Serbi për vizitën e tij të tretë në 8 vitet e fundit, për të mbështetur mosnjohjen e Kosovës së pavarur. Situata ka nevojë për një zgjidhje.

Një nga propozimet është ai i një shkëmbimi territoresh, ku Kosova të heqë dorë nga territori në veri të saj, që banohet nga një popullsi me shumicë serbe, dhe Serbia t’i japë territoret në jug të saj, që banohen në shumicë nga shqiptarët.

Ky propozim duket tërheqës, por është problematike, pasi çdo shkëmbim territoresh, do të ngjallte zilinë e të tjerëve në rajon. Serbët në Bosnje, mund të shtonin përpjekjet për të bashkuar territorin e tyre, Republika Srpska, me Serbisë, një lëvizje që do të mbështetet nga ata në Beograd që ende besojnë tek një “Serbi e Madhe”.

Dhe shqiptarët e Maqedonisë, mund të rinisnin rebelimin e tyre ushtarak të vitit 2001, për të krijuar një shtet të veçantë. Kjo do të thoshte, që si shqiptarët e Kosovës ashtu edhe ata të Maqedonisë, mund të dëshirojnë të bashkohen në një “Shqipëri të Madhe”.

Këto janë në fakt vetëm “supozime”, por duke pasur parasysh historinë e rajonit gjatë 120 viteve të fundit, ato janë të besueshme. Rrjedhimisht, nëse jetësohen skenarët e mësipërm, ajo që do të mbetej nga Maqedonia, do të ndahej mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë.

Bota është ende e zënë me vende të tjera, por taashmë, pas tërheqjes nga Afganistani, Iraku, dhe një rimëkëmbje të pjesshëm nga kriza financiare globale, duhet të rikthejë kokën nga Ballkani. Aty ka ende shumë punë për t’u kryer.

Shënim:Tim Marshall është shkrimtar dhe gazetar. Libri i tij i fundit titullohet “Lufta e Kosovës:Historia e brendshme e luftës së fundit në Evropë”.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment