Apeli i SHBA-së:Marrëveshja Kosove-Serbi, të arrihet brenda vitit 2019

“European Western Balkans”

Beograd/Prishtinë- Ambasadorët e SHBA-së në Serbi dhe Kosovë, Kajl Skot dhe Filip Kosnet, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën ata i bëjnë thirrje udhëheqësve në Beograd dhe Prishtinë të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre brenda këtij viti. Ja deklarata e plotë:

Maturia dhe kreativiteti i dëshmuar nga udhëheqësit në Athinë dhe Shkup, për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre dhjetëvjeçare, duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon.

Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë, ne jemi të bindur se udhëheqja e matur dhe vizionare politike, mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës, me njohjen reciproke në thelbin e saj.

Ky arritje, do të vendoste gurin e themelit për një të ardhme më paqësore dhe më të begatë, për të gjithë popujt në këtë rajon. Kjo është arsyeja pse ne sot lëshojmë këtë apel:është koha që Kosova të pezullojë tarifat e vendosura së fundmi ndaj Serbisë, që Serbia të reagojë në mënyrë konstruktive, që t’u jepet fund provokimeve nga të dyja palët, që Beogradi dhe Prishtina t’i rikthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, dhe që të dyja palët ta përqafojnë me guxim paqen.

Nëse e bëni këtë, ne jemi optimist, se mund të arrini një marrëveshje historike të normalizimi të të raporteve mes dy vendeve brenda vitit 2019. Ju keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar të keni sukses, dhe për të ndërtuar besimin e nevojshëm për të miratuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Presidenti Trump, i shkroi nga një letër kohët e fundit liderëve të Serbisë dhe Kosovës, për t’i inkurajuar të dyja vendet të “shfrytëzojnë këtë moment, dhe të ushtrojnë lidership politike në marrjen e vendimeve, për të balancuar interesat e të dy vendeve”.

Presidenti Trump shtoi se do të ishte i keqardhur, nëse do të humbasë kjo mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike. Presidenti Trump ishte po aq i qartë, kur ai iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: Udhëheqësit përgjegjës, kanë detyrimin t’i shërbejnë qytetarëve të tyre.

Ne besojmë se është e mundur një marrëveshje, dhe shpresojmë të festojmë së bashku me ju, ashtu siç përgëzuam guximin e udhëheqësve grekë e maqedonas. Në fakt, presidenti Trump i ka ftuar tashmë presidentët Vuçiç dhe Thaçi në Shtëpinë e Bardhë, për të sigluar marrëveshjen sa më shpejt që të ndodhë ajo.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë udhëzuar, dhe as do të udhëzojnë se si duhet të jetë zgjidhja, por beson se ajo duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, dhe se duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit.

Udhëheqësit dhe ekipet e tyre, duhet të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga BE-ja, për të eksploruar atë që është e mundur, dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me qytetarët e tyre, në mënyrë që të garantohet që bisedimet reflektojnë vullnetin e popullit, dhe ndihmojnë në kapërcimin e ankthit dhe dyshimeve.

Ne e pranojmë, që kjo nuk është diçka e lehtë. Ne nuk jemi të verbër ndaj ngjarjeve historike, dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë çuar në mosbesim dhe keqperceptim mes palëve, çka i rëndon marrëdhëniet.

Kjo është arsyeja, se përse çdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e dobishme për të dyja palët, për t’i dhënë Kosovës dhe Serbisë një rol në suksesin e saj. Kjo është edhe arsyeja, se pse Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Serbinë dhe Kosovën, për t’u siguruar që të dyja palët të zhvillojnë dhe zbatojnë në mënyrë efektive një marrëveshje të qëndrueshme.

Nëse ka ndonjë shpresë për të sjellë paqe, prosperitet dhe drejtësi të qëndrueshme në rajon, duhet të ndalen hapat e fundit nga Beogradi dhe Prishtina, të cilat shtojnë tensionet. Nëse të dyja palët dështojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ato rrezikojnë të humbin mundësinë më të mirë në një gjeneratë.

Statuskuoja, ka penguar përparimin ekonomik dhe politik në të dyja vendet, dhe i ka detyruar profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më të qëndrueshme me ekonomi më dinamike.

Vendin e tyre po e zënë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementë të tjerë ekstremistë, të cilët përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale dhe evropiane. Asnjëri nga dy vendet, nuk përfiton nga pengimi dhe vonesa e vazhdueshme.

Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, meritojnë një të ardhme ku fëmijët dhe nipërit e tyre të njohin paqen dhe begatinë, dhe jo konfliktet dhe vështirësitë ekonomike. Një marrëveshje kompromisi e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interesin e të dyja vendeve. Stabiliteti afatgjatë dhe prosperiteti për Kosovën dhe Serbinë, varen nga një kthim në dialogun e udhëhequr nga BE, nga guximi për të kapërcyer të shkuarën, dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme të përbashkët.

Nëse Serbia dhe Kosova janë gati ta ndërmarrin këtë rrugë, Shtetet e Bashkuara do të jenë në anën tuaj, në çdo hap të kësaj rruge.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment