Apatia e shteteve ndaj problemeve sociale, po ndihmon rikthimin e ISIS

Nga Baria Alamudin “Arab News”

Më lejoni të bëj një parashikim të guximshëm:Brenda disa viteve, ISIS jo vetëm që do të rishfaqet në skenë, por do të bëhet eksponencialisht më i fuqishëm dhe më i vështirë për t’u mposhtur. ISIS, vazhdon të jetë organizata terroriste më e pasur në histori, me qindra miliona dollarë të fshehura, që janë në dispozicion për rishfaqjen e saj.

Dhjetëra mijëra luftëtarë të ISIS mund të jenë ende të lirë, ose të strehuar në “celula të fjetura” përgjatë Irakut dhe Sirisë. Ndërkohë, rreth 100 mijë të burgosur me nivele të ndryshme të përfshirjes në ISIS, ndodhen në kampe. Statusi i tyre është problematik, për shkak të përkatësisë së tyre shumëkombëshe.

A duhet që vendet e tyre t’i pranojnë me ngurrim, apo t’i lënë aty? Le të mos harrojmë, që se ISIS ka kryer ndër krimet më të tmerrshme që ka parë njerëzimi:Djegie, prerje kokash, përdhunime, gjenocid, dhe mizori të tjera sistematike.

Megjithatë, ideologjia e tij mbetet e fuqishme, me aftësi propagandistike të gjera:Disa fitore simbolike (rimarrja e një qyteti, një sulm terrorist spektakolar) mund të frymëzojnë mijëra njerëz të çoroditur të rikthehen në radhët e grupit.

Dështimi ynë për të kuptuar, se përse shumë irakianë dhe sirianë të zakonshëm e tolerojnë ISIS-in (përveç frikës), do të jetë një faktor kryesor në lejimin e rikthimit të këtij kërcënimi. Sundimi i ISIS, ndryshonte dukshëm në gjithë Kalifatin e tij të vetëshpallur.

Ndërsa xhihadistët e huaj zbatuan me dhunë modele teokratike të huaja në qytetet e mëdha, në qytete e vogla dhe zonat rurale, udhëheqësit e ISIS ishin kryesisht vendas. Rezultati ishte një lidhje hibride, midis traditave lokale dhe asketizmit të ngurtë të ISIS.

Kur Kalifati u shkatërrua, xhihadistët e zonës u arratisën nëpër male, duke shfrytëzar njohjen e terrenit, për të filluar një luftë guerriele kundër forcave të sigurisë. Deri në vitin 2011, Al-Kaeda në Irak ishte një forcë e mposhtur. Megjithatë politikat sektare të Nuri Al-Malikit, dëbimi nga qeveria i politikanëve sunitë, dhe mbështetja ndaj paramilitarëve për të forcuar pushtetin e tij, armiqësoi sunitët dhe komunitetet e tjera.

Në vitin 2013, Iraku ishte prekur nga një seri lëvizjesh rebele dhe forcash anti-shtetërore – islamiste, tribale dhe të ish-Baathistëve. ISIS përfitoi për t’u ngritur në këtë mjedis të ndërlikuar. Por sot, i privuar nga territoret kryesore në Siri dhe Irak, ISIS është bërë edhe më i rrezikshëm.

Mijëra luftëtarë të huaj, që i kanë shpëtuar kapjes janë shpërngulur, ose duke u rrikthyer në heshtje në shtëpitë e tyre, ose duke u shpërngulur në fusha të reja beteje, dhe duke u zotuar të shkaktojnë dëme aty ku mundin, si dhe të tërheqin rekrutë të rinj kudo ku ndodhen.

Kohët e fundit, ka pasur sulme vdekjeprurëse të ISIS në Libanin e Veriut dhe Sinai, së bashku me sulmet e tmerrshme kundër kishave në Sri Lanka disa muaj më pare, që vranë mbi 250 besimtarë. Ne mund të shohim më shumë sulme të tilla, qoftë kundër koptëve egjiptiane, resorteve turistike, qendrave të mbipopulluara në Afrikë, stadiumeve dhe vende të tjera publike në Perëndim.

Tashmë, në një duzinë shtetesh në mbarë Afrikën Veriore dhe Sub-Sahariane, një ISIS i rilindur po krijon diçka që i ngjan një Kalifati të ri transkontinental. Javën e kaluar, grupimi mori autorësinë e sulmeve në Mozambik dhe në Republikën Demokratike të Kongos, dy shtete që më parë nuk njiheshin si vatra të ekstremizmit islamik. ISIS ka mësuar shumë nga disfata e fundit.

Ai do të përpiqet të jetë më i shpërndarë gjeografikisht, për të mos qenë një objektiv i lehtë për t’u goditur, të konsolidojë forcën e vet në hije, për të shmangur provokimin e një kundër-reagimi vendimtar, si dhe do të shmangë armiqësimin e panevojshëm të banorëve të zonës ku ndodhet.

Gjithashtu, ISIS po synon të kapërcejë armiqësitë e së kaluarës me rivalë si Al-Kaida, çka e kishte dobësuar lëvizjen xhihadiste. Rracizmi dhe islamofobia e një të djathte ekstremiste evropiane në rritje, do t’i bëjë gjithnjë e më të pakënaqur myslimanët e rinj perëndimorë, dhe për pasojë më të ndjeshëm ndaj propagandës së ekstremistëve.

Shumica e ekspertëve bien dakord, se pa një përpjekje radikale për të trajtuar sektarizmin, militantët, padrejtësitë dhe përjashtimet sociale në Irak, dhe në shtetet e tjera të rajonit, ekzistojnë parakushtet e nevojshme që ISIS të rikthehet frikshëm si dikur.

Për më tepër në vitin 2019, ajo është një forcë shumë më me përvojë, më e integruar në botë, sesa ka qenë në vitin 2014. Degët e saj në Libi, Afrikën Perëndimore, Egjipt, Jemen, Afganistan, Indonezi dhe vende të tjera do të veprojnë në sikron, për ta bërë ISIS 2.0 një dukuri realisht globale.

Kur adresohen ankesat, kur është i përfaqësuar zëri i qytetarëve dhe kur kultivohet kultura e tolerancës, shoqëria është e imunizuar në një mënyrë efektive kundër propagandës nihiliste dhe urrejtëse të ekstremistëve të krahut të djathtë dhe atyrë islamike. Parandalimi është 1 mijë herë më i mire, se sa kurimi i plagëve. Ne e dimë këtë, por në vend të kësaj zgjedhim sërish t’ja lëmë hapur derën ujqërve.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment