Algjerianët e fituan një betejë, por lufta nuk ka mbaruar ende

Nga Malia Bouattia “Al Jazeera”

Lëvizja e fundit popullore në Algjeri, është vërtet frymëzuese. Ndërsa ka pasur shumë diskutime, nëse demonstratat e mëdha përbëjnë një revolucion, kryengritje apo një lëvizje shoqërore, faktet mbeten të njëjta:për herë të parë ndër dekada, populli algjerian po rimerr në duart e veta të ardhmen e tij të përbashkët.

Kur u njoftua se Abdelaziz Buteflika, do të kandidonte për herën e pestë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pavarësisht se ka mbetur i paralizuar nga një goditje në tru në vitin 2013, në vend shpërthyen protesta.

Çdo javë, turma të mëdha janë mbledhur në sheshet kryesore të qyteteve të mëdha e të vogla algjeriane, në skena që të kujtojnë Pranverën Arabe të vitit 2011. Parullat kanë qenë të qarta. Nga thirrjet për një ndryshim domethënës të lidershipit, deri tek e famshmja “Njerëzit kërkojnë rrëzimin e regjimit”.

Rregjimi ka tentuar t’i dekurajojë protestat, duke bërë paralelizma me dhunën dhe kaosin e viteve 1990. Në kundërpërgjigje, protestat kanë mbetur me vetëdije tejet paqësore, dhe protestuesit kanë refuzuar çdo lloj përplasje të drejtpërdrejtë me ushtrinë dhe policinë.

Një pjesë e gabimit nga ana e regjimit, ka qenë keqkuptimi i popullatës së vet. Shumica e protestuesve, nuk kanë jetuar gjatë luftës civile, dhe nëse po, kanë qenë fëmijë të vegjël. Megjithatë, jeta e tyre është shenjuar nga një lloj dhune:papunësia e madhe, mungesa e mundësive, dhe një varfëri që është bërë një shenjë dalluese e Algjerisë bashkëkohore, pavarësisht fitimeve të mëdha nga tregtia, që regjimi i ka bërë burimeve natyrore të vendit.

Më 11 mars, nën presionin e madh popullor, regjimi njoftoi se presidenti Buteflika nuk do  të kërkonte një mandat të pestë, se kryeministri Ahmed Ouahia do të dorëhiqej, dhe se kabineti qeveritar do të ndryshonte rrënjësisht. Turmat në Algjeri festuan.

Për herë të parë, ndoshta që nga revolucioni dhe pavarësia, njerëzit panë fuqinë e tyre kolektive. Sidoqoftë, ndërsa kjo është një fitore e parë e rëndësishme për lëvizjen, mbetet sërish një avantazh i kufizuar.

Buteflika nuk po ikën. Përkundrazi, ai e zgjati mandatin e tij me një vit, teksa po përgatitet për një “konsultim kombëtar”. Ai mbetet në pushtet, regjimi po ble kohë, dhe po merr masa për të stabilizuar situatën, në një përpjekje për të përcaktuar nëse lëvizja do të shuhet me të butë, apo do të kërkojë masa represive.

Kjo do të jetë çështja kryesore, në javët dhe muajt që do të vijnë. Regjimi është kapur në befasi. Ai është i dobët. Dhe nuk ka një alternativë të dukshme ndaj Buteflikës. Rregjimi ka humbur mbështetjen e shtyllave të rëndësishme të pushtetit të tij, siç janë figurat zyrtare të “opozitës” dhe Organizata Kombëtare e Muxhahidëve – trupat e veteranëve të revolucionit.

Figurat e famshme të Frontit Nacionalçlirimtar, të cilët janë anashkaluar nga regjimi, si Xhamila Buhire dhe Zohra Drif, iu bashkuan lëvizjes së protestave. Tani për tani, një reagim i ashpër do të nënkuptonte fundin e kontrollit të ushtrisë mbi vendin.

Përgjigjja e regjimit, duhet të kuptohet si një përpjekje për të blerë kohë dhe përçarë demonstruesit. Ndërkohë ashti si në pjesën tjetër të rajonit, një dobësi e madhe e çdo sfide ndaj regjimit algjerian, është mungesa e një alternative të besueshme.

Partitë zyrtare të opozitës, madje edhe brenda lëvizjeve berbere dhe të majtës socialiste, kanë qenë shumë servile ndaj pushtetit qendror në Algjeri, ndërsa edhe sindikatat kontrollohen rreptësisht nga ushtria. Në këto kushte, popullin algjerian ka dy rrugë.

Së pari, ai mund të vazhdojë me refuzimin e rregjimit, duke mos u kënaqur me lëshimet e vogla. Kjo nuk mund të nënkuptojë rënien e regjimit, apo zëvendësimin e tij me një alternativë, por një refuzim kokëfortë nga miliona njerëz, për të mos u rikthyer në shtëpitë e tyre derisa regjimi të ndërmarrë reforma të mëdha dhe serioze, dhe të ofrojë një rrugëtim të qartë drejt demokratizimit të vendit.

Së dyti, demonstruesit mund të fillojnë të ngrejnë organe të vetëorganizimit, siç janë kuvendet dhe platformat e tjera publike, dhe ato në internet ku debatet, kërkesat dhe veprimet mund të diskutohen dhe votohen. Ky proces, do të fillojë procesin e identifikimit të liderëve të vërtetë të popullit, të cilët mund të formojnë bazën e një lëvizje të organizuar në të ardhmen, si një alternativë ndaj statuskuosë.

Shënim:Malia Bouattia, është një aktiviste e shoqërisë civile, dhe ish-presidente e Unionit Kombëtar të Studentëve.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment