Afganistan, asnjë marrëveshje për paqe s’do të zgjasë, pa pjesëmarrjen e grave

Nga Susan Hutchinson “The Conversation”

Javët e fundit, qeveria amerikane ka qenë në negociata me talebanët, për arritjen e një marrëveshje paqeje. Kanë kaluar mbi 17 vjet, që kur trupat amerikane dhe ato aleate, u vendosën për herë të parë në Afganistan, për të përmbysur talebanët, dhe mbështetur ardhjen e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Bisedimet aktuale, kanë përparuar më shumë se çdo përpjekje tjetër në të shkuarën. Por ato kanë dy probleme serioze. Së pari, ato nuk kanë përfshirë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Afganistanit, të udhëhequr nga presidenti Ashraf Ghani.

Së dyti, ato nuk kanë përfshirë as edhe një grua. Negociatat e paqes, mund të marrin shumë forma. Në shumicën e tyre, ato kanë të bëjnë me armëpushimet dhe ndarjen e territorit. Por shpesh ato shkojnë më tej, duke adresuar shkaqet themelore të konfliktit, dhe për t’i hapur rrugën një zgjidhje të qëndrueshme.

Ato përfshijnë diskutime të gjera jozyrtare, përpara se të nënshkruhet ndonjë marrëveshje zyrtare. Në vitin 1996, talibanët morën nën kontroll gjithë Afganistanin. Ata ndaluan gratë dhe vajzat që të shkonin në shkollë, dhe u mohonin atyre të drejtat e tyre më themelore.

Talebanët, ofruan strehë për përgjegjësit e sulmeve terroriste kundër SHBA-së më 11 shtator 2001. SHBA-ja, është e gatshme të tërheqë trupat e saj të mbetura në vend, por Uashingtoni kërkon të sigurohet për angazhimin e talebanëve, se Afganistani nuk do të jetë më strehë e grupeve terroriste, që planifikojnë sulme ndaj Shteteve të Bashkuara.

Raportet më të fundit, tregojnë se qeveria afgane kontrollon vetëm 56 për qind të qarqeve në vend, ose 65 për qind të popullsisë. Talibanët kontrollojnë 15 për qind të qarqeve, ndërsa 29 për qind mbeten të kontestuara mes dy palëve.

Bisedimet për paqen, shoqërohen shpesh me tensione rreth atyre që duhet të lejohen të ulen në tryezë. Deri tani, talebanët kanë refuzuar të lejojnë pjesëmarrjen e qeverisë afgane në negociatat aktuale.

Kryenegociatori amerikan, Zalmaj Khalilzad, e ka informuar rregullisht qeverinë afgane mbi ecurinë e bisedimeve, që po mbahen në shtete të ndryshme të Gjirit. Khalilzad është nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të ecur përpara negociatat.

Por, përjashtimi i qeverisë është problematik. Kjo mund ta bëjnë të duket qeverinë afgane të duket edhe më e dobët se sa është, dhe t’i hapë rrugën një rikthimit të plotë të talebanëve në drejtimin e Afganistanit.

Ekziston shpesh një tundim, që t’i jepet prioritet pjesëmarrjes së grupeve të armatosura në negociatat e paqes. Por më e rëndësishme, është të sigurohet pjesëmarrja më e gjerë e shoqërisë civile. Studimet që shqyrtojnë çdo marrëveshje paqeje që nga Lufta e Ftohtë, tregojnë se pjesëmarrja e shoqërisë civile, bën që një marrëveshje paqe të ketë 64 për qind shanse më pak që të dështojë.

Arsyeja kryesore, është se nëse përfshihet shoqëria civile, procesi i paqes perceptohet si më legjitim. Gratë afgane, janë të zemëruara për shkak të përjashtimit nga negociatat e paqes. Grupi udhëheqës i të drejtave të grave në vend, Rrjeti i Grave të Afganistanit, përmes ​​një deklarate, bëri thirrje për “pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplotë të grave” në negociata.

Jeta për gratë në Afganistan, mbetet e vështirë. Një sondazh i agjencisë Reuters, e renditi së fundmi Afganistanin, si vendin e dytë më të rrezikshëm në botë për gratë.

Vendi kryeson ende listën për dhunën kundër grave, diskriminimin e tyre, dhe mungesës së qasjes në kujdesin shëndetësor. Por 17 vitet e fundit, është shënuar një progres i rëndësishëm. Të dhënat nga Programi i Zhvillimit të OKB-së, tregojnë se pabarazia gjinore ka rënë me 10 për qind, midis viteve 2005- 2017.

Gratë kanë forcuar praninë e tyre politike, ekonomike dhe sociale, përmes përpjekjeve për të avancuar statusin e tyre, dhe respektimin e të drejtave të tyre. Vajzat kanë qenë në gjendje të shkojnë në shkollë. Gratë janë bërë anëtare të parlamentit, guvernatore dhe punonjëse policie.

Kushtetuta e Afganistanit e vitit 2004, përfshin një dispozitë që sanksionon barazinë e burrave dhe grave. Por talebanët, po bëjnë thirrje për një kushtetutë të re, dhe nëse kjo arrihet, vështirë që një dispozitë e tillë të mbijetojë.

Hulumtimi, që bazohet në të dhëna të gjera sasiore dhe cilësore, ka treguar se mënyra se si një vend i trajton gratë, është treguesi më i mirë i paqes së saj.

Rëndësia e pjesëmarrjes së grave në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, u kodifikua nga Rezoluta nr.1325 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gati 20 vjet më parë.

Shtatëdhjetë e nëntë vende, përfshirë Afganistanin, kanë aktualisht Plane Kombëtare të Veprimit, për zbatimin e rezolutës, dhe kjo u pasua nga 7 rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Në tetorin e vitit 2017, Shtetet e Bashkuara u bënë vendi i parë në botë që miratoi Aktin e Grave për Paqe dhe Siguri, të nënshkruar nga vetë presidenti Trump. Ai u miratua në mënyrë që SHBA-ja të nxisë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave në proceset e ndërmjetësimit dhe negociatave, që synojnë të parandalojnë, zbutin ose zgjidhin konfliktet e dhunshme anembanë botës.

Senatorët demokratë, kanë kërkuar nga administrata e Trump, të sigurojë përfshirjen e grave afgane në negociatat e paqes. Por deri më tani, askush nuk është kujdesur për zbatimin e ligjit të ri.

Shënim:Susan Hutchinson, është anëtare e Koalicionit Australian të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment