Abdul-Malik Al-Huthi:Një ujk i maskuar me lëkurën e deles

Nga Siraj Wabah “Arab News”

Xheda- Kur bëhet fjalë për predikimin e urrejtjes dhe promovimin e terrorit, kreu rebel i Jemenit Abdul-Malik Al-Huthi, është shumë i ngjashëm me Osama bin Ladenin, shefin e Hezbollahut Hasan Nasrallah, shefin e micilisë iraniane Qazim Suleimani dhe udhëheqësin e ISIS, Abu Bakr Al-Baghdadi.

40-vjeçari Al-Huthi dhe milicia e tij e armatosur, janë ndëshkuar me sanksione nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për pushtimin e e Sanas, kryeqytetit të Jemenit dhe për dëbimin e qeverisë legjitime të njohur ndërkombëtarisht në janarin e vitit 2015.

Huthët e mbështetur nga Irani, kanë qenë vazhdimisht renegatë. Të fshehur në malet Sadah në Jemenin e veriut, ata drejtonin një entitet paralel autonom, dhe nuk kërkuan përfshirje në asnjë proces paqeje apo ndarje të pushtetit. Dhe kur në fundin e vitit 2014, klasa politike dhe ushtria jemenase u përfshinë në një luftë për pushtet, Huthët shfrytëzuan rastin për të marrë kontrollin e gjithë vendit.

Sipas Këshillit të Sigurimit të OKB, “Abdul Malik Al-Huthi është udhëheqësi i një grupi, që është angazhuar në akte që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Jemenit. Në shtatorin e vitit 2014, forcat Huthi pushtuar Sanën dhe në janarin e vitit 2015, u përpoqën të zëvendësonin qeverinë legjitime të Jemenit me një autoritet qeverisës të paligjshëm, të dominuar nga Huthët.

Edhe SHBA-ja ka vendosur sanksione, duke përfshirë një ndalim udhëtimi ndaj Al-Huthi, për shkak të kërcënimit të stabilitetit të Jemenit. Pas Uashingtonit, edhe BE ka imponuar edhe një embargo armësh dhe sanksione të mëtejshme ndaj udhëheqësit rebel.

Me sloganin e tyre “Zoti është i madh, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, mallkim mbi hebrenjtë, dhe fitore për Islamin”, Huthët kanë një histori të gjatë të intolerancës. Ata kanë arrestuar shtetas të huaj, por dhe jemenas, si dhe janë akuzuar për dëbimin apo shtypjen e pjesëtarëve të bashkësisë rurale të judenjve jemenas në Jemenin e veriut.

Në një intervistë televizive të 22 janarit 2013, rabini Jahja Jusuf Salem, kreu i bashkësisë hebraike në Jemen, tha se në vitin 2007 hebrenjtë u detyruan të largoheshin nga qyteti i tyre Sada “për shkak të kërcënimeve që Huthëve”.

“Ata morën shtëpitë, tokat dhe makinat tona. Ata madje rrëmbyen bibliotekën time historike”-tha Salem. Huthët, janë akuzuar gjithashtu për ndalimin dhe torturimin e pjesëtarëve të komunitetit Baha’i. Al-Huthi iu drejtua këtij komuniteti në një fjalim të transmetuar në Tv Al-Masirah më 23 mars 2018, në të cilin ai akuzoi ndjekësit e këtij besimi, se ishin “satanikë” dhe “agjentë” të Perëndimit.

Udhëheqësi militant, ka bërë me dije edhe objektivat e tij të mëtejshëm. Në një fjalim në Tv Al-Masirah në vitin 2016, Al-Huthi pretendoi se kishte frikë për sigurinë e Mekës. Ndërkohë më 14 shtator 2017, në të njëjtin kanal, shefi i terroristëve Huthi, tha se jemenasit duhet të marrin shembull nga Koreja e Veriut, dhe të përqëndrohen në zhvillimin e raketave.

“Pasja e raketave që mund të godasin përtej Riadit, kjo do të ishte një arritje e madhe”- tha ai. Sipas analistit politik saudit, Hamdan Al-Shehri, Huthët mbështesin doktrinën Vilajet-e-Fakeeh (Ruajtja e Jurisprudencës Islamike) – teoria e njëjtë e propaganduar nga klerikët iranianë.

“Ky koncept, i jep liderit suprem autoritetin përfundimtar për të miratuar dekretet kundër të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, për të dënuar ndonjë komunitet, për të shtypur çdo fe, dhe për të bërë thirrje për vdekjen dhe shkatërrimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen. Ithtarët e udhëheqësit suprem, duhet të zbatojnë urdhrat e tij, pasi ai konsiderohet si i vetmi pranë Zotit”- thotë Al Shehri.

Sipas tij Al-Huthi, është shumë i ngjashëm në mendësi me liderin iranian Ali Khamenei. “Ai nuk shqetësohet se po i çon fëmijët dhe gratë në rrugë të keqe. Kjo është strategjia e përdorur, edhe nga milicitë e tjera dhe organizatat terroriste, përfshirë Hezbollahun, Al-Kaidën dhe ISIS”- shton ai.

Pak njerëz e kuptojnë se pse Arabia Saudite dhe koalicioni arab, u detyruan të përfshihen në luftën e Jemenit, thotë Al-Shehri, duke iu referuar luftës së Evropës kundër Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore.

“Ajo luftë solli humbje të mëdha, por e keqja që ishte Hitleri duhej çrrënjosur. Al-Huthi është një kërcënim jo më i vogël se Hitleri. Ideologjitë e tyre janë të ngjashme; të dyja janë të rrënjosura tek urrejtja”- shprehet analisti saudit. Al Shehri shton se Al-Huthi nuk ndryshon nga Osama bin Laden apo Hasan Nasrallah. “Ata jo vetëm që vishen njëlloj, por kanë gjithashtu të njëjtën ideologji vrastare”-përfundoi ai.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment