A sinjalizon ndryshimi i regjimeve në Algjeri dhe Sudan, ardhjen e “Pranverës Arabe 2.0”?

Nga Shahid Ali “moderndiplomacy.eu”

Me largimin e Abdelaziz Bouteflikës si president i Algjerisë dhe të Omar Al-Bashirit, si president i Sudanit, disa studiues po debatojnë nëse bota është gati të shohë një fazë të re ndryshimi, ose “Pranverën Arabe 2.0”, që mund të ndikojë në stabilitetin politik në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Më 2 prill, protestat popullore disamujore detyruan largimin e presidentit Buteflika dhe më 11 prill, presidenti i Sudanit Al-Bashir u rrëzua nga pushteti nga ushtria. Rënia e regjimeve të vjetra në Algjeri dhe Sudan, ka krijuar shqetësime në mesin e regjimeve të tjera autoritare në rajon, që kanë frikë se si protestat dhe ndryshimet e papritura të regjimit në dy vende të rëndësishme anëtare të “Lidhjes Arabe”, do të ndikojnë në botën arabe apo në rajonin e Lindjes së Mesme.

Pranvera Arabe, nisi dikur si një seri protestash anti-qeveritare në Tunizi në dhjetorin e vitit 2010. Përdorimi i efektshëm i platformave të mediave sociale, dhe pjesëmarrja në shkallë të gjerë e të rinjve, me burrat dhe gratë që luajtën një rol të barabartë, ishte një nga tiparet më të spikatura të “Pranverës Arabe”.

Ngjashëm edhe sot në Algjeri dhe në Sudan – të rinjtë – burrat dhe gratë i përdorën në mënyrë efektive mediat sociale, në përhapjen e mesazheve dhe motivimin e njerëzve, për të dalë në protesta. Veçanërisht, gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxjerrjen e njerëzve në rrugë.

Ky rol i tyre, është një moment emocionues dhe stimulues, që mund të hapë një dritare mundësish për grate, që të luajnë rol më aktiv në politikën e brendshme të vendeve arabe. Për më tepër, kërkesa e vazhdueshme e të rinjve për ndryshimin e të gjithë udhëheqjes politike në Algjeri dhe në Sudan, mund të shkaktojë një reaksion zinxhir në vendet arabe fqinje, për të nisur “Pranverën Arabe 2.0”.

Megjithatë, ky faktor mund të nxisë edhe regjimet autoritare të rajonit, të marrin masa më strikte apo ndëshkuese kundër çdo lloj proteste politike, për të garantuar që asnjë udhëheqës të mos detyrohet të largohet nga detyra.

Gati një dekadë pas “Pranverës Arabe”, një brez i ri ka lindur në vendet Arabe dhe Lindjen e Mesme. Me kujtimet e protestave dhe kryengritjeve në Tunizi, Egjipt, Libi, Bahrein dhe Siri, që janë ende të freskëta në mendjen e tyre, ata përballen me një çështje kyçe:a do arrijë përmbysja e regjimeve shtypëse dhe autoritare të Buteflikës dhe Al-Bashirit, t’i frymëzojë këta të rinj, të ndërmarrin lëvizje të ngjashme popullore kundër sunduesve autoritarë në vendet e tyre?

Duke parë kaosin dhe paqëndrueshmërinë në Libi, Siri dhe Jemen që pasoi Pranvera Arabe, shumica e përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë negative. Ndonëse qytetarët në Algjeri dhe Sudan, meritojnë të vlerësohen për atë që kanë arritur, ngjarjet në të dyja vendet tregojnë se ndryshimi i regjimit ka sjellë vetëm ndryshimin e fytyrave, dhe se nuk është shënuar ndonjë përparim thelb për të sjellë demokracinë e vërtetë.

Qeveritë dhe njerëzit në botën arabe, kanë mësuar leksionet nga Pranvera e para Arabe, dhe po i shohin më kujdes zhvillimet e fundit, për të formuluar më pas politikën dhe përgjigjen e tyre. Prandaj, ka më shumë të ngjarë që zhvillimet në Algjeri dhe Sudan, të mos mundet të nxisin një lloj reagimi zinxhir të ngjashëm si dikur.

Një arsye kryesore, është se shumica e komunitetit ndërkombëtar që mbështeti “Pranverën Arabe”, me një kuptim të gabuar të “triumfalizmit demokratik”, është tani shumë më i kujdesshëm në reagimin ndaj kryengritjeve aktuale.

Kjo do të thotë se ai ka mësuar leksionet nga ngjarjet e Sirisë, Libisë, Jemenit dhe Egjiptit. Për më tepër, bashkësia ndërkombëtare inkurajoi kryengritjet në Egjipt dhe Libi, pasi të dyja vendet ishin qendra të rëndësishme të pushtetit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Nga një perspektivë e jashtme, aktorët kryesorë ndërkombëtarë po vëzhgojnë me kujdes dhe monitorojnë ndryshimet dhe zhvillimet e shkaktuara nga rënia e regjimeve në Algjeri dhe Sudan. Franca dhe Italia, janë të shqetësuara se largimi i Buteflikës, mund të prodhojë paqëndrueshmëri në mbarë rajonin e Afrikës së Veriut. Një arsye kryesore e këtij ankthi, është frika se një destabiliteti të zgjatur politik në Algjeri, që mund të sjellë një rritje të fluksit të emigrantëve në Mesdhe.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment