A do të përballemi me një garë të re të armëve bërthamore?

Nga Cornelia Meyer “Arab News”

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se do të pezullojë, dhe pastaj pas 6 muajsh, do të anulojë Traktatin e Forcave Bërthamore të Mesme (INF) midis SHBA dhe Rusisë. Traktati në fjalë, u nënshkrua më 8 dhjetor 1987 në Uashington, nga presidenti amerikan Ronald Regan dhe homologu i tij rus Mikhail Gorbaçov.

Ai synonte të kufizonte raketat balistike bërthamore, me një distance prej 500-5.500 kilometra. Traktati ishte një hap i madh në kufizimin e garës së armatimeve mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1991, u shkatërruan 2.700 armë bërthamore. Traktati i INF, e bëri Evropën një vend më të sigurt.

Trump përmendi shkeljet e traktatit nga Rusia, si arsyen kryesore të veprimit të tij. Arma ruse ”Novator 9M729”, përbën një shqetësim të veçantë për SHBA-në. Presidenti amerikan mund të ketë të drejtë, por pasojat e veprimeve të tij, mund të shkojnë shumë përtej asaj që priste.

Padyshim, Rusia e ka shkelur traktatin. Sidoqoftë, edhe SHBA-ja po punon gjithashtu për përmirësimin e arsenalit të saj bërthamor – një proces që u iniciua që nga administrata Obama. Në mënyrë të mënyrë të përsëritur, Barak Obama, është përplasur me presidentin rus Vladimir Putin mbi INF.

Aty ku Trump ka sigurisht të drejtë, është fakti që Traktati prek forcat e armatosura amerikane, ndërsa fuqitë bërthamore përveç SHBA-së dhe Rusisë, veçanërisht Kina, janë të lira të zhvillojnë dhe vendosin në gatishmëri sulmi armët e tyre bërthamore me rreze të ndërmjetme.

Rusia reagoi me shpejtësi:Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha se Moska do të ndjekë të njëjtin shembull, pra se do ta pezullojë traktatin, me qëllim anulimin e tij brenda 6 muajve. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Rusia do të jetë tashmë e lirë të zhvillojë një arsenal të ri, bzuar tek raketat me rreze të ndërmjetme gjatë 2 viteve të ardhshme.

Ish-kreu i Marinës Mbretërore të Britanisë së Madhe, njëherazi ish-nënsekretari i Shtetit në British Home Office (shefi i anti-terrorizmit), admirali Alan Uest tha se ndihet i keqardhur për aktin e ndërmarrë nga Trump, që sipas tij shënon fundin e INF.

Ndërsa e pranoi se Rusia e ka shkelur traktatin, ai theksoi se do të ishte më mirë që SHBA-ja të qëndronte e angazhuar në atë pakt, në vend se secila nga fuqitë të shohë rrugën e vet, dhe të humbasë kontrollin dhe dukshmërinë mbi atë që ndodh në Moskë.

Uest shtoi se është i shqetësuar, nga fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, janë të gatshme t’i shohin armët bërthamore si instrumente taktike, në rastin e një lufte. Ai mendon se armët bërthamore, duhet të shërbejnë vetëm për një qëllim:si mjeti i fundit parandalues, dhe si linja e fundit e mbrojtjes.

Ai e sheh këtë çështje nga një perspektivë evropiane ose nga perspektiva e zonave të tjera të populluara, të cilat potencialisht mund të shërbejnë si teatro të luftërave të zhvilluara, edhe me përdorimin e armëve bërthamore. Kujtesa e Hiroshimës dhe i Nagasakit, mund të jetë zhdukur.

Megjithatë, ato bomba shkaktuan një rrënim të plotë, dhe shumë humbje  jetësh njerëzore. Gjenerata e re e armëve, do të jetë edhe më e fuqishme.  Gatishmëria për ta parë prodhimin e një arsenali të ri armësh bërthamor për arsye taktike, duhet të shqetësojë të gjitha vendet që kanë si fqinjë fuqitë bërthamore.

Ata nuk kanë ndikim mbi kohën, se kur fuqitë e mëdha vendosin të përdorin fuqinë e plotë të arsenalit të tyre. Traktatet që rregullojnë ose kufizojnë përdorimin e armëve bërthamore, janë të dizenjuara për ta bërë botën një vend më të sigurt.

Ndërkohë që Traktati i OKB-së për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore është ende në fuqi, gjithnjë e më shumë vende kanë filluar ta shpërfillin atë – ku India dhe Pakistani përfaqësojnë shembullin më domethënës në këtë drejtim.

Në fund, Evropa – dhe ndoshta edhe mbarë bota – nuk janë bërë një vend më i sigurt me anulimin e traktatit të INF, pasi SHBA dhe Rusia do të humbasin aftësinë për të monitoruar njëra-tjetrën, dhe për të penguar shtimin e arsenalit bërthamor të (të dyja vendet, kishin anuluar tashmë që në vitin 2002 Traktatin e Raketave Anti-Balistike).

Ndërsa këto traktate mund të mos jenë të përsosura, dhe shmangia e tyre është shumë e thjeshtë, është më mirë të angazhohesh dhe të frenosh njëri-tjetrin, në vend se të zgjedhësh të rinisësh një garë të re armatimesh. Duke pasur parasysh fuqinë e armëve bërthamore, në lojë është asgjë më pak sesa e ardhmja e gjithë njerëzimit.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment