A do të ndërmarrë realisht Trump një reformë historike mbi emigracionin?

 Marco Dell’Aguzzo “eastwest.eu”

 

Donald Trump ka habitur sërish të gjithë. Të martën, gjatë një tryeze të rrumbullakët në Shtëpinë e Bardhë me republikanët dhe demokratët, presidenti la të hapur mundësinë e një reforme të madhe në fushën e emigracionit, e cila ndër të tjera propozon t’i japë shtetësinë amerikane 11 milionë emigrantëve, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pa leje të rregullt qëndrimi.

 

Por le t’i analizojmë gjërat me rradhë. Vetëm një ditë më herët, administrata Trump kishte vendosur të mos rinovonte një program humanitar, që u pati dhënë mundësinë mbi 200.000 salvadoranëve, të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara, pas tërmeteve shkatërruese që goditën El Salvadorin në vitin në vitin 2001.

 

Komuniteti Salvadorian ishte më i madh në numër, që përfitonte nga Statusi i Përkohshëm i të Mbrojturve, i cili u shfuqizua në nëntor 2017, edhe për qytetarët e Haitit (pothuajse 60.000) dhe Nikaraguas (2.500).

 

Bëhej fjalë për formë një veçantë të mbrojtjes të miratuar nga presidenti Xhorxh Bush në vitin 1990 – dhe që më pas u zgjerua ndër vite – për të mbrojtur veçanërisht shtetasit amerikano-qëndrorë, që largoheshin nga dhuna e rajonit dhe fatkeqësitë natyrore.

 

Me skadimin e afatit të këtij statusi, salvadorianët, haitianët, dhe nikaraguasit që nuk e rregullojnë statusin e qëndrimit të tyre në SHBA, do të përballen me rrezikun e dëbimit, me rrezikun real të ndarjes së shumisës së këtyre njerëzve nga fëmijët e tyre, të lindur në SHBA, apo nga bashkëshortët e tyre amerikanë.

 

Ata që rrezikojnë deportimimin, janë edhe të ashtuquajturit “dreamers” (ëndërrimtarët), emigrantët e rinj që kanë hyrë në SHBA qëkur ishin fëmije për të përfituar nga “DACA”, një program që u garantonte atyre imunitet nga dëbimi, i miratuar nga presidenti Obama, dhe që u shfuqizua nga Trump shtatorin e kaluar.

“Dreamers” janë tashmë gati 800 mijë persona, në pjesën dërrmuese të kombësisë meksikane, por shpesh me asnjë kujtim të vendit të tyre të origjinës. Programi “DACA”, përfundonte zyrtarisht më 5 mars të këtij viti, dhe Donald Trump kërkoi menjëherë në Kongres për ta zëvendësuar atë me një ligj të ri.

 

Përveç rastit kur mbrojtjet ligjore për ta do të rinovohen, deri në atë datë, “ëndërrimtarët” do të shndërrohen realisht në klandestinë. Të marten, një gjykatës federal e bllokoi përkohësisht shfuqizimin e “DACA”-s, duke pretenduar se programi do të mbetet aktiv për sa kohë që fati i “ëndërrimtarëve”, sot i pasigurtë, nuk do të zgjidhet përfundimisht nga një program i ri.

 

Ndërhyrja e gjyqtarit, e shtoi më tej kompleksitetin e betejës tashmë të ndërlikuar politike për “ëndërrimtarët”, mes demokratëve dhe republikanëve, e lidhur ngushtë – përveç komuniteteve amerikano-qëndrore të mbetur pa mbrojtje – edhe me murin në kufirin me Meksikën, si dhe me miratimin e buxhetit për vitin aktual fiskal.

 

Dhe këtu kthehemi tek lajmi i fillimit. Ditën e martë, më 9 janar Donald Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me disa anëtarë të Kongresit nga të dyja kampet politike, dhe propozoi një “reformë gjithëpërfshirëse” mbi emigracionin në dy faza.

 

Në të parën, parashikohet arritja e një marrëveshje për të siguruar mbrojtjen ligjore për “ëndërrimtarët”, dhe në të njëjtën kohë forcimin e kontrolleve në kufi, si dhe financimin e ndërtimit të murit në kufi me Meksikën. Pastaj, arritjen e një marrëveshje të dytë, për t’i dhënë shtetësinë 11 milionë emigrantëve, që jetojnë pa leje në Shtetet e Bashkuara.

 

Nisma e Trump, është sa e gjerë aq edhe ambicioze, përveçse duket haptazi në kundërshtim me qëndrimet e tij të njohura kundër emigrantëve dhe anti-emigracionit. Megjithatë, presidenti ka treguar në fakt se i dashuron marrëveshjet e gjera, të cilat e lejojnë atë të shfaqet para publikut si një negociator i madh, i aftë të kapërcejë dallimet mes palëve.

 

Nëse reforma e tij e emigracionit do të realizohet me sukses, Trump do të jetë në gjendje të korrë sukses aty ku kanë dështuar më herët Bush dhe Obama. Përmbajtja e reformës, duket të jenë e dizenjuar për të kënaqur të gjitha palët:demokratët do të marrin mbrojtjen për “ëndërrimtarët” dhe një zgjerim të madh të shtetësisë, republikanët murin me Meksikën dhe kontrollet e rrepta kufitare.

 

E megjithatë, kaq shumë larmishmëri, mund të prodhojë efektin e kundërt. Partia Demokratike, kundërshton fuqishëm ndërtimin e një muri me Meksikën, pasi nuk dëshiron të lejojë Trumpin, të përmbushë premtimin e tij më të madh elektoral, dhe të ndërtojë një monument të madh fizik për presidencën e tij.

 

Ndërkohë, Partia Republikane, dhe mbi të gjitha baza elektorale e presidentit, nuk do të pëlqejnë legalizimin e mbi 11 milionë emigrantëve. Me pak fjalë, suksesi i “reformës së plotë”, është çdo gjë tjetër përveçse i sigurtë.

 

Ka hapësira për manovrim për të arritur një kompromis, i cili do të varet

nga fakti se sa kërkuese do të jenë të dyja palët. Demokratët, janë në favor të një  mbrojtjeje më të madhe kufitare, por nuk do të bien dakord të ndajnë 18 miliardë dollarë fonde federale për 10 vjet – kjo është shifra që Trump i kërkoi Kongresit të premten e kaluar – për të ndërtuar murin dhe përforcuar gardhet ekzistuese.

 

Ndoshta ata mund të bien dakord për të shkëmbyer një zgjatje të Statusit të Përkohshëm të të Mbrojturve, me anulimin e e të ashtuquajturës “lotari amerikane” për marrjen e vizës. Ndërkohë Trump favorizon një marrëveshje mbi DACA (dhe duket se kërkon të shkojë më tej), me kusht që të përfshijë fondet për ndërtimin e murit, një çështje që e ka theksuar shumë herë në fushatën zgjedhore, por që deri më tani ka dështuar të shkojë drejt zbatimit.

 

Përplasja në këtë pikë vendimtare, ka hedhur tashmë në erë një marrëveshje në shtatorin e vitit të shkuar. Në negociatat aktuale, ndikon edhe hija e një qeverie në rrezik të mbylljes së aktiviteteve të saj:19 janari është afati i fundit për miratimin e buxhetit për këtë vit fiskal, që nëse shkelet – vota e demokratëve është vendimtare – do të shkaktonte mbylljen e shërbimeve qeveritare.

Në prillin e vitit të kaluar, duke marrë parasysh një rrezik të ngjashëm, Trump pati hequr dorë nga shpërndarja e fondeve për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. Gjithësesi viti i tij i parë i presidencës thuajse ka kaluar, dhe ”muri i madh” që ai kishte premtuar, është ende në formën e disa modeleve të ekspozuara në shkretëtirë, në rrethinat e San Diegos.

Submit a comment