A do të largohet Turqia nga NATO?

Nga Muhammed Hussein “Middle East Monitor”

Një mori frazash fyese, kanë shoqëruar debatet mbi marrëdhëniet e kohëve të fundit midis Turqisë dhe NATO-s, duke përfshirë terma si “papërgjegjshmëri strategjike”, “aleate e pamatur dhe ag”, dhe “një kolonë e pestë”.

Prej vitesh, ky vend është mënjanuar nga anëtarët e tjerë. Për shembull, Bashkimi Evropian e sheh Turqinë si një hallkë të dobët, dhe një kërcënim për sigurinë e aleancës ushtarake. Po si u bë Turqia kaq shumë e përçmuar, duke qenë një anëtare e vjetër e aleancës, që shërbeu për disa dekada si një fortesë kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, dhe që aktualisht ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO?

Një pikë kthese kryesore ka qenë lufta në Siri, e cila ka nxjerrë në pah pjesën më të keqe të marrëdhënieve midis shteteve rajonale dhe atyre jashtë rajonit. Pavarësisht synimeve fillestare të Turqisë, për të ruajtur një profil të ulët në fillim të konfliktit në vitin 2011, vitet e fundit, sidomos që nga 2016-ta, Ankaraja ka ndërmarrë hapa gjithnjë e më të guximshëm për të garantuar interesat e veta, dhe ç’është më e rëndësishmja, sigurinë dhe stabilitetin në kufirin që jo ndan me Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Megjithatë, këto hapa e kanë vënë kundër aleates së saj të vjetër, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe kanë shkaktuar shqetësime të mëdha brenda NATO-s, nëse Turqia është sot më shumë një kundërshtare, sesa një aleate.

Politika e jashtme e Turqisë, ka qenë vitet e fundit në kundërshtim gati të plotë me interesat e SHBA. Së pari, ajo ka ndërhyrë në statuskuonë e konfliktit sirian në veri të vendit, duke luftuar kundër kurdëve të Njësive Mbrojtëse të Popullit (YPG), që janë armatosur dhe mbështetur nga SHBA-ja.

Për më tepër, presidenti Rexhep Taip Erdogan ka këmbëngulur në blerjen e sistemit rus S-400 të mbrojtjes ajrore nga raketat, duke e nxitur SHBA-në që të anulojë dorëzimin tek Ankaraja të 100 avionëve luftarakë F-35, për të cilët ishte rënë dakord me herët.

Kjo qasje e ka vendosur Turqinë, në rrugën drejt marrëdhënieve të ngrohta me Rusinë dhe Iranin – rivalët kryesorë të SHBA – duke marrë pjesë në bisedimet trepalëshe, dhe në samitet e organizuara nga të dyja vendet mbi të ardhmen e Sirisë.

Së fundi, Turqia ka treguar ndryshuar marrëdhëniet e saj me vendet e Gjirit, duke mbështetur më tepër Katarin dhe Iranin, ndërsa ka përkeqësuar raportet me monarkitë Saudite dhe Emiratet, me të cilët SHBA-ja është në të njëjtën linjë.

Të gjithë këta faktorë, e kanë zgjeruar shumë hendekun në marrëdhëniet dhe perceptimin e Uashingtonit mbi Turqinë, si një lloj shteti problematik, që është gjithnjë e më i vështirë të mbahet në rresht.

Por në vend se të jetë thjesht një mosmarrëveshje SHBA-Turqi, kjo është shumë më shumë një çështje e vendit të Turqisë në NATO. Në mënyrë të veçantë, sistemit rus S-400, ka shkaktuar një shqetësim të madh në gjirin e aleancës, për shkak të pohimit se do të rrezikonte sigurinë e NATo-s dhe një numër shtetesh anëtare, e kanë vënë tashmë në pikëpyetje legjitimitetin e anëtarësimit të Turqisë.

Argumenti i tyre i përbashkët, është se ndërsa Turqia ishte dikur një aleate e nevojshme gjatë Luftës së Ftohtë, që shërbente si bazë për raketat bërthamore të NATO-s që kishin në shenjestër Bashkimin Sovjetik, roli i këtij vendi është tani i parëndësishëm, dhe madje i rrezikshëm.

Kjo e vendos në dyshim të ardhmen e Turqisë në organizatë. Marrëveshja e diskutueshme e sistemin S-400, është thjesht e fundit në një listë të gjatë përplasjesh midis Turqisë dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, që vizitoi Ankaranë në fillim të muajit maj, pasi shprehu mirënjohje për rolin e Turqisë në aleancë, theksoi se marrëdhëniet mes tyre janë ende të paprekura, të paktën zyrtarisht.

Teksa s’ka dyshim se roli i Ankarasë aktualisht, perceptohet si i çuditshëm nga shtetet e tjera anëtare, ideja e largimit të Turqisë nga NATO, është e vështirë të vihet në zbatim, por edhe jopraktike për të dyja palët.

Aleanca ka investuar shumë në Turqi, ka më shumë se 6 dekada marrëdhënie të ngushta, baza të rëndësishme ushtarake të NATO-s të krijuara brenda infrastrukturës së saj, dhe një pozicion të rëndësishëm strategjik në Ngushticën e Dardaneleve dhe Detin e Zi.

Lejimi i largimit të Turqinë, do të destabilizonte potencialisht aleancën. Në përgjithësi, ndërsa SHBA-ja ka një rol të rëndësishëm udhëheqës në NATO, Turqia është ende shumë e rëndësishme si aleate. Rezultati më i mundshëm i mosmarrëveshjes aktuale, është që Turqia do të mbetet anëtare, por vetëm në emër. Ajo do të anashkalohet nga zhvillimet kryesore brenda aleancës, ashtu siç iu ndalua pjesëmarrja në programin avionëve luftarakë F-35.

Për më tepër, që nga formimi i saj në 1949, NATO ka pasur parakushte të caktuara për anëtarësimin, por nuk ka mekanizma për të dëbuar shtetet anëtare. Kjo do të thotë që nëse Turqia do të largohet nga aleanca – ta quajmë atë “Turxit”- do të duhej ta bënte vullnetarisht, gjë që nuk do ndodhë në të ardhmen e parashikueshme.

Marrëdhëniet gjithnjë e më të ngrohta të Ankarasë me Rusinë, kanë vetëm synime strategjike. Qeveria turke, e di se Moska ka dëmtuar vazhdimisht interesat e saj të jashtme, veçanërisht në Siri. Turqia do të mbetet pjesë e NATO-s, por do të vazhdojë të ecë përpara me politikat e saj të brendshme dhe të jashtme, të pavarura nga aleanca.

Ndërkohë, vendet anëtare të NATO-s do të përpiqen të distancohen dhe të mbështeten shumë më pak tek njëri prej anëtarëve më të shquar të tyre, në krahasim me gjithë marrëdhënien e tyre të gjatë dhjetëravjeçare.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment