20 vjet në Kosovë, pse prania e NATO-s është ende nevojshme

Nga Dan Sabbagh “The Guardian”

Njëzet vjet pasi trupat tokësore të NATO-s, hynë në Kosovë në fund të një fushate bombardimesh ajrore 78-ditore, 3.500 trupa nga aleanca ushtarake mbeten ende në shteti më të ri në Evropë, ku konflikti me fqinjin verior, Serbinë, pret ende të zgjidhet.

Sot, forca shumëkombëshe e Kosovës e përbërë nga ushtarë prej 28 vendeve, vepron kryesisht si një “rezervë e tretë” pas policisë lokale dhe misionit të Bashkimit Evropian, edhe pse ekziston një përjashtim kur trupat e NATO-s ruajnë manastirin ortodoks serb të Deçanit.

Trupat e NATO-s që patrullojnë rrugët, janë kryesisht ekipet e ndërlidhjes së në komunitet, që janë të paarmatosura, dhe merren zakonisht me testimin e atmosferës në bashkësitë lokale në kryeqytetin, Prishtinë, dhe në qendrat e tjera kryesore të Kosovës.

Në Deçan, ku murgjit serbë thonë se kanë ende nevojë për mbrojtjen e ushtarëve nga një komunitet armiqësor, incidenti më i fundit ishte në vitin 2016, kur 4 shqiptarë të armatosur u arrestuan jashtë manastirit. Ky është një mision që i jep frytet me ritme të ngadalta.

“Njëzet vjet, është një periudhë e gjatë për një mision paqeruajtës”- më tha një ushtar në terren kur u pyet mbi detyrën që kryen. Dhe i tiji nuk është një mendim i izoluar. SHBA-ja, që kontribuon me kontigjentin më të madh të trupave – rreth 600 – po e merr seriozisht në konsideratë zvogëlimin e pranisë së saj.

Por një zyrtar i lartë perëndimor thotë:”Tërheqja do të ishte një akt i çmendur. Ata në Serbi, numërojnë përherë praninë tonë këtu. Ky është një vend prej 1.8 milion myslimanësh të moderuar. Pas Afganistanit dhe Irakut, ne na duhet një rezultat pozitiv. Kosova, mund të jetë një fitore e vërtetë strategjike për ne”.

Përballë argumenteve të tilla, SHBA-ja ka vendosur që tani për tani, të lërë në Kosovë të njëjtin kontigjent ushtarësh. Vëmendja perëndimore mbetet ende e lartë. Britania e Madhe kontribuon me 30 trupa paqeruajtëse – pavarësisht angazhimit historik në një vend ku disa fëmijë quhen Tonibler sipas emrit të kryeministrit të atëhershëm britanik, Toni Bler, që me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Klinton, udhëhoqën atë që u pa në atë kohë si një ndërhyrje ushtarake popullore.

Franca nuk ka asnjë përfaqësim. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, nisi me një fushatë ajrore kundër Serbisë, duke shënuar herën e dytë që aleanca angazhohej në veprime ushtarake që nga themelimi i saj në vitin 1949 – e para ishte në Bosnje, po kundër forcave serbe.

Ajo që pasoi operacionin e aleancës, ishte rritjeja e përleshjeve të dhunshme midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që përfaqësonte shumicën e popullsisë së Kosovës, dhe asaj që ishte pjesë e ushtrisë së Jugosllavisë dhe forcave serbe, që përfaqësonin shumicën.

Fuqia e atyre bombardimeve, detyroi tërheqjen e forcave serbe në qershor 1999. Pesëdhjetëmijë trupa, të udhëhequr nga Sër Majk Xhekson, hynë në Kosovë nën përshëndetjen entuziaste të shqiptarëve atje. Gati 10 vjet më vonë, u shpall pavarësia, megjithëse Serbia dhe Rusia, nuk e njohin ende shtetin e ri, dhe kohët e fundit ndihmuan në parandalimin e anëtarësimit të tij në Interpol.

Gjatë Luftës së Kosoëvs, u vranë ose u zhdukën gjithsej 13.517 njerëz, midis janarit 1998 dhe fundit të vitit 2000, sipas të dhënave të dokumentuara nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Prej tyre, 10.415 ishin shqiptarë; dhe 2.197 ishin serbë.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i OJQ-së, argumenton se një të dhënat e sakta historike, janë mëse të nevojshme, për të kundërshtuar “narrativat kombëtare” që po dalin në skenë. “Ne po përpiqemi të krijojmë një kujtesë kolektive për luftën. Pala serbe po përpiqet të mohojë krimet e saj këtu, dhe e njëjta gjë po ndodh këtu. Në Kosovë, ju mund të dëgjoni vetëm mbi viktimat shqiptare, por jo për ato joshqiptare”- tha ai.

Një ekspozitë e re në tre salla të bibliotekës së Prishtinës, i dedikohet 1.133 fëmijëve që u vranë ose u zhdukën, dhe përmban artikuj që u përkasin atyre, duke përfshirë një çantë shpine me logon e skuadrës gjermane të Bajern Mynihut, që kishte brenda libra shkollorë të përdorura nga viktima, Altini, nxënës i klasës së katërt, ditën kur u qëllua për vdekje nga forcat serbe.

Asnjë marrëveshje përfundimtare për paqe, nuk është arritur midis Serbisë dhe Kosovës, presidenti i së cilës, Hashim Thaçi, është një nga ish-komandantët e UÇK-së. Bisedimet e fundit, që përfshinë një shkëmbim të mundshëm territorial – ku Kosova do të heqë dorë nga territori në veri me shumicë serbe, në këmbim të tokave serbe gjetiu tjetër – nuk prodhuan asgjë vitin e kaluar, pasi kjo ide ishte jo popullore në të dyja vendet.

Ndarja midis 2 komuniteteve sot është në pjesën më të madhe të Mitrovicës, në veri të Kosovës, ku shqiptarët dhe serbët ndahen nga një urë mbi lumin Ibër, me shqiptarët që banojnë kryesisht në jug dhe serbët në veri. Megjithë ndërhyrjen e BE-së, ura mbetet e mbyllur për trafikun e makinave nga ana e administratës së pakicës serbe në veri, ndërsa është e hapur për këmbësorët.

Në fund të muajit të kaluar, pati një rritje të tensioneve, kur policia kosovare kreu një numër arrestimesh në të gjithë vendin, që synonin luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arrestimet e serbëve, shkaktuan reagime të ashpar në veri.

Katër oficerë policie u plagosën, një zyrtar rus që punonte për një agjensi të OKB-së u arrestua për disa orë, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç vuri në gatishmëri ushtrinë. Edhe pse situata u zbut pas disa ditësh, gjenerali italian Lorenco D’Adario, që drejton aktualisht KFOR, thotë se situata politike është e brishtë, dhe argumenton se detyra e tij kryesore është të “sigurojë jetën e popullatës në very”, ku jetojnë serbët.

“NATO nevojitet ende këtu. Ne jemi shtylla e sistemit të sigurisë”- thotë ai, edhe pse nuk është e qartë se për sa kohë qeveritë perëndimore do të duan të qëndrojnë në një vend, që mbetet relativisht i qetë, pavarësisht mungesës së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment